Ekonomi

Drejtoresha e INSTAT analizon shifrat e CENSIT 2023: Vetëm 8.7% e shqiptarëve jetojnë me qira

Shkruar nga Liberale

Drejtoresha e INSTAT analizon shifrat e CENSIT 2023: Vetëm 8.7% e

Drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli analizoi disa nga shifrat, referuar rezultateve të Censit 2023. Së pari, Dhuli theksoi se 82.5% e shqiptarëve janë pronarë të banesave të tyre. Ndërkohë që me qira janë vetëm 8.7% e tyre. Një pjesë tjetër, rreth 8.8% jetojë në banesa që i kanë në bazë të një marrëveshjeje me institucionet ose me të afërm. Oferta e ulët dhe kërkesa e lartë në Tiranë duke qenë se shqiptarët preferojnë të blejnë shtëpi ka bërë që të rritet çmimi si për banesat edhe për qiratë. Këto të fundit janë ndikuar nga kërkesat e larta prej turizmit.

“Është tradicionale që në Shqipëri, njësitë ekonomike familjare banojnë në banesat e tyre, janë pronarë të banesave të tyre.”
Sipas drejtoreshës së INSTAT, Tirana është bashkia që mbledh më së shumti banorë në vend.

“Në dy dekadat e fundit, referuar Censit 2023 kemi lëvizje të brendshme të popullsisë që kryesisht synimin e kanë drejt Tiranës, por ka edhe drejt Elbasanit drejt Durrësit. Tirana është bashkia që mbledh më shumë, por ka lëvizje edhe nga bashkia e Durrësit dhe Elbasanit.”

Gjithnjë bazuar te Censi 2023, mosha mesatare në Shqipëri është 42.5 vjeç. Kështu, Shqipëria po i afrohet mesatares së Bashkimit Evropian, që është 42.7%.

“Ka një dallim të vogël mes burrave dhe grave, është më e lartë mosha mesatare për gratë sesa për burrat si dhe jetëgjatësia e tyre.”

Vitet e fundit ka një rënie të lindshmërisë në vend, megjithatë Dhuli thekson se ka një shtesë natyrore pozitive.
“Lindshmëria lidhet më të dhëna administrative që merren nga Regjistri i Gjendjes Civile. Pavarësisht se ka rënë lindshmëria, ka një shtesë natyrore pozitive. Ka ndikuar ndjekia e karrierës apo angazhimi në punë, qasja e çifteve të reja. Duhen politika më të mira për planifikim familjar.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH