61 bashkitë në vend kanë rritur mbledhjen e taksës së pasurisë, ku përgjatë periudhës janar-gusht 2024, kanë arkëtuar afro 55 milionë euro, shifra më e lartë e dekadës së fundit.
Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023, taksa mbi ndërtesat ka furnizuar njësitë e vetëqeverisjes vendore me afro 13 milionë euro më shumë, duke shënuar një rritje me 31.7 %.
Ndërsa në raport me planin 2024 për 8-mujorin, ka pasur një kapërcim me rreth 20 milionë euro, apo 55.5% më shumë se sa ishte parashikuar.
Nevoja për më shumë të ardhura dhe domosdoshmëria për të shlyer stokun e detyrimeve të prapambetura, por edhe afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme, i ka bërë që bashkitë t’i japin më shumë vëmendje vjeljes së taksës mbi ndërtesat ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i taksës sipas vlerës së tregut.
E thënë ndryshe, në 8 muaj, është realizuar 94.5% e gjithë planit vjetor të mbledhjes së kësaj takse, ku në total parashikohet të arkëtohen 5.7 miliardë lekë.
Ndikim në këtë perfomancë ka pasur rritja e sipërfaqeve ndërtimore, zhvillimi që ka marrë ky sektor kryesisht në zonat bregdetare si dhe rritja e numrit të transaksioneve. Peshën më të madhe në mbledhjen e kësaj takse e ka Bashkia Tiranë, ndjekur nga bashkitë në zonat bregdetare dhe njësitë e tjera të mëdha.
Qeveria planifikon përgatitjen e kadastrës fiskale dhe zbatimin e taksimit bazuar në vlerën e tregut për ndërtesat duke filluar nga viti 2026, si dhe zbatimi i taksimit bazuar në vlerën e tregut për parcelat duke filluar nga viti 2028, duke përfshirë plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, finalizimin e Sistemit Informativ të Kadastrës Fiskale me ndërveprueshmërinë dhe integrimin me sistemet e tjera, duke adresuar kërkesat e personelit dhe ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore. (Elisabeta Dosku)