Ekonomi

Bilanci i 2023/ Guvernatori Sejko: Niveli mesatar i pagave në sektorin privat u rrit 13%, inflacioni shënoi rënie

Shkruar nga Liberale

Bilanci i 2023/ Guvernatori Sejko: Niveli mesatar i pagave në sektorin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko prezantoi sot në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, raportin e vitit 2023 të institucionit që ai drejton, ku theksoi se “ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence përballë sfidave madhore të viteve të fundit dhe pati një nga normat më të larta të rritjes ekonomike dhe normën më të ulët të inflacionit ndër vendet e rajonit”.

Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë gjatë viteve të ardhshme, e mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve, eksporteve, punësimit dhe pagave, si dhe stabilizim të inflacionit pranë objektivit prej 3 %.

Duke iu referuar statistikave zyrtare, Sejko bëri të ditur se, “ekonomia u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7% në fund të vitit. Niveli mesatar i pagave në sektorin privat u rrit 13% ndërsa inflacioni shënoi një rënie graduale, nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024”. Sejko tha se, viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të ekonomisë.

“Deficiti i llogarisë korente zbriti në nivelin 0.9% të PBB-së gjatë vitit 2023, duke shënuar një minimum historik të periudhës postranzicion. Borxhi i huaj zbriti poshtë nivelit 50% të PBB-së, ndërsa investimet e huaja direkte regjistruan një rekord historik prej 1.5 miliardë eurosh. Eksportet u rritën me 1.7 miliardë euro dhe niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë regjistroi një rekord historik prej 5.8 miliardë eurosh”, u shpreh Guvernatori, teksa theksoi se, “sistemi bankar ka vijuar përmirësimin e treguesve të kapitalizimit dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%”.

Sipas tij, këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë ekonominë me eficiencë dhe në vazhdimësi  me fonde financiare dhe instrumente pagesash e kursimesh. Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Guvernatori Sejko nënvizoi se, sektori financiar shqiptar shënoi dy arritje të rëndësishme gjatë vitit të shkuar: Daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF-së dhe paraqitja e kërkesën zyrtare të BSH-së, pranë Autoritetit Bankar Evropian (EBA) për marrjen e statusit të ekuivalencës, që ndikon në rritjen e kreditimit nga bankat europiane që operojnë në Shqipëri.

Sejko tha se, paralelisht me këto zhvillime, BSH-ja ka vijuar punën për forcimin e mëtejshëm të rregullimit e të mbikëqyrjes bankare sipas BE-së; miratimin e ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”; miratimin e Strategjisë së Gjelbër Afatmesme 2023-2025 si dhe në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, BSH-ja ka  përfunduar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme me të gjitha bankat, duke përfshirë strategjinë për ndërhyrje sipas specifikave të tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH