Ekonomi

Arsyet e rritjes së çmimit të banesave: Mbi 80 milionë Euro shpenzuan të huajt në tre muaj e parë të vitit për të blerë prona në Shqipëri

Shkruar nga Liberale

Arsyet e rritjes së çmimit të banesave: Mbi 80 milionë


Afro 354 milionë euro është vlera e investimeve të huaja, gjatë tremujorit të parë të këtij viti sipas shifrave zyrtare.

Pronat rrëmbejnë pjesën më të madhe të investimeve edhe për tremujorin e parë të këtij viti.

Janë afro 81.3 milionë euro të investuara nga të huajt nga janari në mars vetëm në sektorin e pasurive të paluajtshme, i cili kryeson listën prej vitesh. Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar investimet në këtë sektor janë rritur me mbi 32 milionë euro.
Por pse të huaj po blejnë banesa në Tiranë, ndërsa kërkesa e lartë rriti çmimin dhe dekurajon të rinjtë që punojnë në Shqipëri të shohin të ardhmen në vnendin e tyre?

Ekspertët e tregut thonë se tregu i pronave është më tërheqës për të huajit, pasi ofron çmime të lira për nivelin ekonomik që ata kanë. Madje ata po blejnë edhe për t’i rishitur më pas, dukw fituar vetë dhe duke kontribouar në rritjen e çmimit. Ndonëse kjo rritje e çmimit penalizon të rinjtë që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri dhe që duan ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
“Të huajit kanë pasur goxha blerje. Ata blejnë për investim për të jetuar. Blejnë se tregu ju duket shumë i lirë për nivelin e tyre ekonomik. Një italian, një gjerman holandez apo belg e shohin shumë treg tërheqës. Por ata po blejnë edhe për të rishitur, blejnë sot dhe e rishesin më pas”, tha Ervin Demirxhiu.

“Ne kemi shumë klientë të huaj të cilët e shikojnë bregdetin jo vetëm si mundësi për disa ditë pushime, por edhe për investime. Nga Golemi deri në Ksamil Shqipëria ofron shumë. Të huajit vijnë si vizitorë dhe më pas rikthehen si investitorë”, thotë Orgest Beti.

Pas pasurive të paluajtshme, në këtë periudhë të parë të vitit të huajit kanë investuar më shumë para në sektorin e ndërmjetësimit financiar, në atë të hidrokarbureve, ndjekur nga energjia si dhe komunikacioni.

“Gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme (në masën 23%), sektorin e ndërmjetësimit financiar (në masën 21%), e hidrokarbureve (në masën 13%), e energjetikës (në masën 5%), si dhe komunikacionit (në masën 5%)”, thotë Banka e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë thotë se në total nga janari në mars investimet e huaja direkte përllogariten në 354 milionë euro nga 307 mln euro që ishte vlera e tyre vjet. Ajo që vihet re në këtë periudhë është se 209 milionë euro është fitim që kompanitë e huaja e kanë ri-investuar në vend. Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH