Deri në orën 9:00 janë paraqitur 5.39 për qind e votuesve në 26 nga 36 qendra votimi në total sipas të dhënave zyrtare.
Për postin e kreut të bashkisë Himarë garojnë Vangjel Tavo, kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria kandidat i opozitës. Pritet që të dy kandidatët të votojnë në orën 10:00. Ndërkohë në KQZ është raportuar që votimi në dy QV në Kuç ka nisur me një orë vonesë.
Është raportuar se në disa QV ka pasur debate mes komisionarëve nëse do të lejohen të votojnë apo jo votuesit me karta ID të skeduara. Sipas sekretarit të KZAZ 88 në Himarë, deri tani janë 70 votues që nuk kanë arritur të votojnë për shkak të kartave të ID të skaduara.
Komisionerët kanë marrë udhëzime që mos të lejohen të votojnë ata me karta ID të skaduara, ndërkohë në Himarë Fshat vazhdon i pezulluar votimi për shkak të këtij problemi deri në një përgjigje nga KQZ.
Sipas kryetarit të KZAZ 88 në Himarë mbi 200 votues deri tani për shkak të kartave të skaduara nuk janë lejuar të votojnë.
Kjo ka shkaktuar reagimin e Omonias në Himarë, e cila shprehet se kartat u dhanë në mënyrë selektive, ndërsa akuzon qeverinë për mosnxjerrjen e akteve përkatëse ligjore.
“Që me nisjen e procesit zgjedhor në Bashkinë Himarë, me insistimin e komisionerëve të Partisë Socialiste, dhjetëra zgjedhësve u refuzohet e drejta e votimit me pretendimin e dokumenteve të identifikimit të skaduara.”
“Në kundërshtim me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, Kryeministri Rama refuzoi të nxjerrë aktet përkatëse ligjore që do të garantonin të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit.”
“Kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identitetit, ishte vënë gjatë ditëve të fundit në shërbim të Partisë Socialiste, duke u shërbyer qytetarëve në menyrë selektive. Anëtarëve të PS u rinovoheshin dokumentet në mënyrë të organizuar brenda 24 orëve, ndërsa qytetarëve të tjerë u kërkohej të paraqiteshin pas 15 ditësh.
Në total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama”, thuhet në reagimin e Omonoia Dega Himarë.