Sipas informacioneve zyrtare, 28.12% e qytetarëve kanë votuar deri në ora 14:00, ose numri i votuesve është 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Për postin e kreut të bashkisë Himarë garojnë Vangjel Tavo, kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria kandidat i opozitës.
Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule në një prononcim për median i quajti të parregullta këto zgjedhje dhe madje absurde.
“Himara nesër do të zgjohet me dy kryebashkiakë të zgjedhur. Mandati i Fredi Belerit nuk është ndërprerë konform ligjit dhe vendim të formës së prerë. Është për tu gjykuar ankimimi në KAS dhe njëkohësisht i zotit Beleri që u depozituan sipas legjislacionti brenda 30 ditëve që parashikon ligji”.
"Që para nisjes së fushatës kandidati zoti Tavo me zë dhe figurë pohoi se ai ka transferuar gjendje civile të disa qytetarëve që nuk janë banorë me qëllim që të mbrojnë votën e tij m çfarë ligji, në cilat parime mbështetet ky veprim, janë 311 zgjedhës që janë shtuar në listat e sotme krahasuar me listat e majit 2023. Në zgjedhjet e vitit 2023 lista krahasuar me zgjedhjet e 2021 ishte pakësuar me 3 zgjedhës, nga 2023 në 2024 është shtuar në mënyrë artificiale nga të cilët 93 ka indicie se janë regjistruar ose kanë transferuar gjendjen edhe përtej kohës pasi ishte shpallur dekreti, shkelje flagrante që janë denoncuar në SPAK, por ska ende veprim nga ana e SPAK. Tavo pohoi se ka shpërndarë mbi 1200 tituj pronësie janë edhe 600 të tilla për t’u shpërndarë. Nuk kemi asnjë reagim të drejtësisë" - tha Dule i cili shtoi se, - "kishte subjekte të SPAK në qendra votimi me kryebashkiakun e Konispolit dhe Vlorës."
Dy kandidatët votuan rreth orës 10:00. Ndërkohë më parë në KQZ është raportuar që votimi në dy QV në Kuç ka nisur me një orë vonesë në mëngjes. 6 mijë zgjedhës në Himarë nuk do mund të ushtrojnë të drejtën për të votuar për shkak se karta e tyre e identifikimit ka skaduar. Shifrën e konfiromoi edhe komisioneri shteteror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Megjithëse e njëjta problematikë është konstatuar edhe në zgjedhjet e shkuara, nuk është marrë asnjë masë. Sipas sekretarit të KZAZ 88 në Himarë, deri tani janë 200 votues që nuk kanë arritur të votojnë për shkak të kartave të ID të skaduara.