Aktualitet

Zgjedhja e kryetarit të ri të Bashkisë së Himarës, reagon Fredi Beleri: Ligji për ju është një copë letër bakalli

Shkruar nga Liberale

Zgjedhja e kryetarit të ri të Bashkisë së Himarës,

Kryetari i zgjedhur dhe i dënuar i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri reagoi ashpër në rrjetet sociale pas zhvillimeve të fundit në bashki, ku mbledhja e këshillit në qytetin bregdetar zgjodhi si kryetare të komanduar Blerina Balën, në një proces që u shoqërua me tensione në nisje të tij.

Beleri i cilëson të gjitha zhvillimet si në shkelje të Kushtetutës, teksa nuk kursen kritikat as ndaj prefektit Tavo, i cili sipas tij filloi fushatën elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Në fokusin e reagimit të Belerit nga burgu ishte dhe kryetarja e komanduar Balaj, për të cilën ai thotë se nuk është as anëtare e këshillit, por është emëruar nga Jorgo Goro. Për Belerin, zgjidhja e vetme është betimi i tij.

Reagimi i Fredi Belerit

Asnjë ligj dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk e parashikon këtë që po ndodh në Bashkinë Himarë. Neni 61 i ligjit 139/2015 që trumbeton prefekti nuk zgjidh ndërprerjen e parakohshme të një mandati të mbaruar me kohë.

Asnjë praktikë e mirë evropiane, të cilave z. Rama iu referua, nuk thotë se kryetari i bashkisë caktohet nga partia humbëse e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Asnjë praktikë e mirë evropiane nuk parashikon të caktohet nga prefekti si kryetar bashkie një person që nuk është zgjedhur as këshilltar bashkiak, por është emëruar nga humbësi.

Shkelët Kushtetën dhe atë që u votua nga sovrani nuk e lejuat të betohet. Në kundërshtim me ligjin, caktoni një kryetar të ri bashkie, siç edhe Prefekti e deklaroi, dhe e interpretoni ligjin ashtu siç ju intereson.

Juve nuk ju intereson ligji, por ju intereson vetëm të mos betohet, qoftë edhe për një orë të vetme, ai që u zgjodh kryetar bashkie konform Nenit 109 të Kushtetutës. Për ju, ligji është thjesht një copë letër bakalli.

Me gjasë, letër bakalli është edhe për z. Tavo, i cili në kundërshtim me ligjin, dje u tregoi këshilltarëve si të mendonin, sot mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak për t`u siguruar që e kishin kuptuar drejt urdhërin e tij. Pa patur asnjë kompetencë, filloi sot fjalimet elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Zgjidhja e vetme është respektimi i Kushtetutës. Zgjidhja e vetme është të lejohet fituesi i zgjedhjeve të betohet. Është e vetmja gjë që mund t’i japë fund këtij kaosi ligjor dhe të ndalojë absurdin në Bashkinë Himarë, duke trajtuar banorët e kësaj bashkie në mënyrë të barabartë me çdo qytetar tjetër të kësaj Republike që ushtroi të drejtën e tij elektorale në zgjedhjet e datës 14 maj.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH