Gjykata e Apelit të Përgjithshëm në Tiranë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin Denis Meçe, i cili akuzohet se dhunoi për vdekje 42-vjeçarin Egli Proga në Pogradec, ngjarje e ndodhur më 10 gusht të këtij viti.
Denis Meçe kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë, por kërkesa e tij është rrëzuar nga trupa gjykuese.
Ndërkohë, gjykata ka caktuar “detyrim paraqitje” për tre shokët e Denis Meçes; Leonidha Guçen, Arjan Manellarin dhe Voltan Shulkun, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi
Vlen të theksohet fakti se fillimisht, autoritetet policore e referuan dosjen ndaj Denis Meçes në Prokurori nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, akuzë e cila sipas Kodit Penal të Shqipërisë dënohet nga 10 deri në 20 vjet burgim.
Por, pas 40 orësh Prokuroria e Korçës ka zbutur akuzën 29-vjeçarit, pasi depozitoi dosjen në Gjykatë për rivlerësimin e masave të sigurisë për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose maksimumi me burgim deri në 5 vjet.