Aktualitet

Vota e emigrantëve, Celibashi: Ka ende nevojë për ndryshime ligjore, KQZ e gatshme të ndihmojë gjatë procesit

Shkruar nga Liberale

Vota e emigrantëve, Celibashi: Ka ende nevojë për ndryshime

Nga 11 janari deri në 4 mars çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë vendit ka të drejtë të regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Procesi ka nisur në mesnatë dhe i pari është regjistruar një shqiptar që jeton në Gjermani.

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Çelibashi në një komunikim me gazetarët ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen duke theksuar se administrata e KQZ është në çdo kohë e gatshme të ndihmojë çdo person që has probleme gjatë procesit.

Mes qindra shqiptarëve që janë regjistruar për të votuar bie në sy se më të interesuar janë ata që jetojnë në Europë, por nuk mungojnë edhe shqiptarë që jetojnë në Afrikë apo Azi.

Çelibashi përsëriti bindjen e tij se ka ende nevojë për ndryshime ligjore për të garantuar votën e diasporës.

Kjo është hera e parë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë mundësi të votojnë aty ku ata banojnë.

Çdo qytetar shqiptar që ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë mund të regjistrohet në faqen e KQZ për të marrë pjesë në procesin e votimit.

Më pas KQZ do t’i nisë atij me postë fletën e votimit, të cilën ai e dërgon pasi e ka plotësuar po me postë pranë KQZ.

Posta do të jetë falas për të gjithë shqiptarët që banojnë jashtë vendit pasi qeveria ka marrë përsipër të paguajë të gjitha kostot.

Që vota të konsiderohet e vlefshme ajo duhet të mbërrijë në Shqipëri deri në 11 maj në orën 19:00.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH