Vangjel Tavo është betuar ditën e sotme për postin e kryetarit të bashkisë Himarë, pas fitores në zgjedhjet e pjesshme.
Pas betimit, Tavo u shpreh se sfidat komunitare janë të shumta në Bashkinë Himarë, por me besim, me punë dhe vullnet shtoi ai gjithçka mund të realizohet.
“Sfidat janë të shumta, problematiket janë nga më të ndryshmet në të gjithë sektorët e jetesës komunitare, por nga përvoja ime, kam mësuar se kur ekziston vullneti dhe dëshira, çdo gjë mund të realizohet”, tha ai.
Më 12 shtator KQZ certifikoi mandatin e Vangjel Tavos si kryebashkiak në Himarë. Tavo do të ushtrojë mandatin e tij për 3 vite, deri në 2027 kur mbahen zgjedhjet e radhës lokale. Tavo fitoi me diferencë rreth 1500 votash ndaj rivalit të tij opozitar Petro Gjikuria, në zgjedhjet e pjesshme lokale të 4 gushtit.