Një aksident me Jet Ski ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, në Durrës, ku një 21-vjeçar nga Belgjika ka mbetur i plagosur pas humbjes së kontrollit mbi mjetin lundrues.
Turisti përfundoi në ujë dhe pësoi goditje në kokë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Fillimisht ai u transportua në spitalin e Durrësit, ndërsa më pas u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Sipas burimeve paraprake, pas incidentit ka ndërhyrë menjëherë pronari i subjektit që jepte me qira mjetet lundruese, Skerdilajt Xhametaj, i cili me një tjetër Jet Ski nxori të plagosurin nga uji dhe i dha ndihmën e parë.
Megjithatë, policia ka ndaluar Xhametajn nën dyshimet për shkelje të rregullave të sigurisë që lidhen me përdorimin e Jet Ski-ve nga turistët. Hetimet janë në vijim për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh në të njëjtën zonë, pasi në fillim të qershorit një 34-vjeçar britanik humbi jetën pas rrëzimit nga një Jet Ski në det, ndërsa shoqja e tij shpëtoi pa lëndime. Ngjarjet e përsëritura po ngrenë shqetësime mbi sigurinë e pushuesve në plazhet shqiptare gjatë sezonit veror.