Banorët e Krujës dhe Fushë Krujës kanë vijuar edhe sot protestët në autostradën Thumanë-Kashar
Me nisjen e protestës ka pasur përplasje me policinë. Shkak është bërë tentativa e protestuesve për të hyrë në autostradë dhe bllokuar qarkullimin rrugor.
Forcat blu kanë përdorur edhe spraj djegës kundër protestuesve.
Disa nga pjesëmarrësit në protestë kanë tentuar të shkulin disa ndarje të vendosura mes autostradës dhe rrugës së vjetër, por s’janë lejuar nga policia.
Ata kërkojnë hyrje-dalje në autostradë, duke pretenduar se janë izoluar së bashku me bizneset e tyre në këto zona.
Siç shihet dhe nga pamjet, të shumtë janë banorët që i janë bashkuar protestës, ndërkohë që ka dhe prezencë të lartë të forcave të policisë.
Edhe në protestat e shkuara ka pasur përplasje mes banorëve dhe policisë, pasi këta të fundit nuk i kanë lejuar protestuesit të bllokojnë qarkullimin e mjeteve në rrugë.
Kujtojmë se kjo është protesta e tretë pas ndërtimit të autostradës, ndërkohë që banorët që u prekën nga ky projekt kanë protestuar me muaj të tërë kundër ndërtimit të saj dhe kanë shprehur se nuk janë shpronësuar në mënyrë të drejtë.