Aktualitet

“Tatimet dhe doganat zero kallzime”, Kreu i SPAK: Nuk i trembemi politikës, na inkurajojnë rezultatet!

Shkruar nga Liberale

“Tatimet dhe doganat zero kallzime”, Kreu i SPAK: Nuk i trembemi

Kreu i SPAK, Atin Dumani thotë se krimi i vendosur në lupën e këtij institucioni, ka guxuar të kërcënojë prokurorët për ti trembur e ndalur ata në misionin e tyre.

Në një takim me aktorë të shoqërisë civile, Dumani sqaroi për të pranishmit se asgjë nuk i ndal ata. Ai tha se prokurorët janë të vetëdijshëm për të tilla risqe e janë imun ndaj krimit, politikës e çdo ndërhyrje.

Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata. Në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë.”

Dumani foli edhe për pritshmëritë e SPAK, duke paralajmëruar se nuk do te kursehet askush qe shkel ligjin.

Shpresojmë që gjykatat të japin vendime fajësie për akuza të ngarkuara nga ana jonë. Ne kemi patjetër rezultate të suksesshme dhe ky është synimi ynë. Për pesë vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Është e vështirë, por jo e pamundur, por qoftë dhe këto rezultate na stimulojnë dhe na nxisin që të punojmë akoma më shumë. ”

Sa i takon statistikave të punës Dumani deklaroi:

Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty?! Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin. Gjatë 2023 kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite së bashku, duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve në media, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet. Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë”, tha Dumani

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kreu i kontrollit të lartë të shtetit Arben Shehu i cili vlersoi SPAK-un si institucionin e rikthimit të shpresës tek qytetarët.

Altin Dumani, bëri një sqarim për deklaratën që u publikua në media, në lidhje me kërcënimin e familjes së një prokurori, gjatë një takimi me dyer të mbyllura, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Në një reagim për Report Tv, Dumani sqaron se nuk ka përmendur një kërcenim konkret, por deklarata e tij u bë në kontekstin se prokurorët, nuk ndihen të shqetësuar për kërcënimet që vijnë nga politika, por për kërcënimet nga krimi i organizuar. “Nuk kam thënë në takimin që jam thirrur ditën e sotme, që është kërcënuar familja e ndonjë prokurori. Më është bërë një pyetje, nëse ndihen të kërcënuar prokurorët nga politika apo krimi i organizuar dhe kam thënë që nuk jam i shqetësuar nga politika, por nga krimi i organizuar,  të cilat janë shtuar dhe prokurorët janë të përgatitur për çdo gjë”, tha Dumani.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH