Aktualitet

Simpoziumi i ASSH/ Ministrja Elisa Spiropali: Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi, themeluesit e të majtës moderne shqiptare

Shkruar nga Liberale

Simpoziumi i ASSH/ Ministrja Elisa Spiropali: Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi,

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë simpoziumit të Akademisë së Studimeve Shqiptare dedikuar Revolucionit të Qershorit, e solli figurën e Fan Nolit nga këndi i të qenit një viktimë. Sipas saj, prifti, politikani, përkthyesi e polemisti Fan Noli ishte viktimë e një arketipi, e një klisheje që u krijua, u kultivua e u krasit me kujdes të madh sidomos nga diktatura.

“Të madhin Nol, diktatura e paraqiste pak a shumë si njeri i shquar, progresist, deri diku pozitiv, por që në fund të fundit mbeti jo më tepër se një prift, një i paqartë ideologjikisht, që edhe bëri ndonjë gjë të mirë, por më tepër gaboi, se i mëdyshur qe. S’ka gjë më qesharake e më dramatike në historinë tonë se gjykimi i përciptë që i bëjmë të mëdhenjve, veçanërisht Priftit tonë të ndritur, Fan Nolit.”

Spiropali tha më tej se kritizerët e Nolit ishin të shumtë, ishin klerikët që thoshin se një prift nuk duhej e nuk mund të ishte politikan, ishin edhe politikanët, që thoshin se nuk mund të jesh politikan i mirë, për më tepër progresist, duke qenë dhe prift sado i përkushtuar.

Sipas saj, një njeri ndritur si Noli, që kreu punë të mëdha dhe me qëllime të larta, nuk mund të mos vuante pasojat e asaj që ajo e quajti “sporti më i dashur dhe më i dëmshëm, më autodestruktiv, që shqiptarët historikisht praktikojnë me zell të madh: baltosjen e më të mirëve dhe më të mëdhenjve të vet.”

Referuar kontributit politik, ministrja Spiropali e cilësoi Fan Nolin ndër themeluesit e së majtës moderne shqiptare.
“Noli bashkë me ndonjë ëndërrimtar tjetër, si Luigj Gurakuqi, janë themeluesit e të majtës moderne shqiptare. Historia e të majtës shqiptare nuk nis me instalimin e diktaturës komuniste, ajo ishte një shkëputje tragjike brenda gjeopolitikës së kohës. Noli ishte përfaqësues i vegjëlisë në arenën politike shqiptare.”

Pavarësisht se ai nuk mundi të çrrënjosë feudalizmin, nuk bëri reformë agrare radikale dhe administrative, apo nuk e vendosi dot demokracinë, për Spiropalin ekzistenca e tij e parakohshme në skenën politike dhe publike shqiptare ishte e ngjashme me atë të një ylli, dritën e të cilit e shohim vite e vite më vonë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH