Aktualitet

Shtyhet mbledhja e KLP për shkarkimin ose jo të kryetarit Alfred Balla

Shkruar nga Liberale

Shtyhet mbledhja e KLP për shkarkimin ose jo të kryetarit Alfred Balla

Shtyhet mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku do të përcaktohet nëse Alfred Balla mund të qëndrojë ose jo në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA që vendosi nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vite, bazuar në procesin e vetting.

Komisioni me 3 anëtarë do të bëjë relacion dhe do të informojë këshillin se kur do rimblidhen.

Alfred Balla drejton KLP nga momenti që mandati i Gent Ibrahimit përfundoi, ndërsa më parë mbante funksionin e nënkryetarit të Këshillit. Ballës i ka përfunduar mandati i anëtarit të KLP-së prej disa muajsh, por vijon të qëndrojë në detyrë deri në momentin që do të zgjidhen anëtarët e rinj, nga radhët e shoqërisë civile.

“Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve të Këshillit, në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT. Media si gjithmonë është e ftuar të jetë e pranishme. Diskutimi i ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla”, thuhet në njoftimin e KLP.

KPA vendosi pak ditë më parë të nxjerrë nga sistemi i drejtësisë Alfred Ballën, ndonëse më parë përmes procedurave ai tentoi të mos kalonte vetting, duke pretenduar se nuk gëzonte statusin e magjistratit në momentin që kishte nisur procesi ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndihmësve ligjorë, funksion që Balla e ka kryer në Gjykatën e Lartë. Kreu në detyrë i KLP-së ka reaguar ashpër ndaj vendimit të KPA, ndërsa paralajmëroi se do e çojë në Strasburg, pasi pretendon se largimi i tij nga sistemi i drejtësisë bie ndesh me Kushtetutën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH