Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin “Transnacional”, ku u goditën dy raste të trafikimit të personave nga Ukraina, të cilët kërcënoheshin dhe dhunoheshin për të rekrutuar persona të tjerë për shpërndarje droge dhe vepra të tjera të jashtëligjshme.
Gjatë këtij oepracioni policor U shoqëruan 19 ukrainas që kishin rënë pre e këtij grupi, ndërsa u arrestuan 4 persona të huaj si organizatorët.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, gjatë fjalës së tij deklaroi se katër persona janë arrestuar dhe se një tjetër është shpallur në kërkim. Ai shpjegoi se rekrutimi kryhej jashtë Shqipërisë.
“Është rrjet ndërkombëtar i trafikut të njerëzve. Personat organizatorë janë shtetas të huaj, rekrutimin e kryenin jashtë Shqipërisë, në vende të ndryshme të Evropës. Çështja është duke u hetuar për të parë nëse kemi shqiptarë të përfshirë, apo dhe qytetarë nga Vlora, deri në këto momente nuk na rezulton të kemi të tillë”, tha ai.