Një leksion i madh që iu dha historisë dhe vazhdon të japë edhe sot e cilësoi Kryetarja e Kuvendit, Znj. Elisa Spiropali Konferencën e Pezës, mbledhur 82 vjet më parë më 16 shtator të 1942. Gjatë fjalës së saj në hapje të sesionit shkencor dedikuar antifashizmit dhe vlerave mbarëshoqërore, një aktivitet i përbashkët mes Akademisë së Studimeve Shqiptare dhe Akademisë së Shkencave pranë UET, Spiropali çmoi kontributin dhe sakrificën e atyre që realizuan këtë konferencë, si dhe dha mesazhe të rëndësishme përbashkimi për të ardhmen.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi akademitë për iniciativën për të përkujtuar këtë simbol të historisë sonë, 82-vjetorin e mbledhjes së Konferencës së Pezës, në këtë 80-vjetor të çlirimit të vendit.
“Kur bëhet fjalë për historinë lind debat, krijon kundërshti, herë bashkon e herë ndan, dhe gjithherë ofron bindje si zgjidhje dhe dyshimet si alternativë tjetër. Shumica e prindërve apo gjyshërve tanë kanë qenë fëmijë në atë kohë të trazuar për historinë e gjithë botës, e cila ishte përfshirë në një betejë liri a vdekje me një murtajë nazi-fashiste e cila kërcënonte me shfarosje popullsi të tëra, kërcënonte mënyrën e jetesës, lirinë e gjykimit dhe sistemin që kishte individin dhe të drejtat e tij në qendër. Ende pa shëruar plagët e një lufte botërore bota ishte zgjuar sërish në makthin e një lufte tjetër, por më të egër, më tragjike, më gjithëpërfshirëse. Në agun e Luftës së Dytë Botërore ka pasur shumë dilema edhe në Shqipëri. Dy rryma, dy mendësi që nuk përjashtonin asnjëra dashurinë për atdheun, patriotë të rinj dhe nacionalistë të vjetër, pavarësisht ndarjeve të mëdha mbi ide dhe zgjidhjet mbi ato ide, gjetën forcën që të bëhen bashkë, njëlloj si instikti i mbijetesës dhe armiku i përbashkët i ka bërë bashkë shqiptarët kundër kërcënimit të të huajit”, u shpreh Spiropali.
Më tej, kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për ata patriotë që i japin edhe sot një leksion të rëndësishëm Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Peza si simbol, ishte fronti i parë, që i rreshtoi në krah shqiptarët e ndershëm dhe patriotë, ishte leksioni i madh që iu dha historisë dhe që historia vazhdon të japë edhe sot, se të bashkuar me njëri-tjetrin, pavarësisht bindjeve, ideve, feve, ne shqiptarët mund të jemi të suksesshëm. Respekt pafund dhe mirënjohje të jashtëzakonshme për atë akt të jashtëzakonshëm për të gjithë ata gra e burra që në këmbim të sakrificës dhe gjakut të tyre ndanë atë diademë krenarie për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e përbashkët.”
Duke folu më tej për orientimin që mori Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore duke përqafuar sistemin komunist dhe duke përjetuar një nga diktaturat më të egra të Europës, Spiropali tha se ajo nuk e shuajti flakën e zjarrtë të patriotizmit, që gjeti sërish rrugën e tij dhe u shpërfaq në 1999.
“E shkuara nuk gjykohet kurrë mbi pasojat që ajo sjell në të ardhmen, pa llogaritur kontekstin në të cilin ajo ka ndodhur, drama jonë në regjim nuk e shuan aspak flakën që ndezën ata të rinj idealistë, nacionalistë, por edhe komunistë, në vitet e zjarrta të luftës së përbotshme. Trashëgimia antifashiste që ata i dhanë vendit është një vlerë universale, që qëndron ende në themel të sistemit dhe vlerave demorkatike perëndimore. Një nga vlerat themelore të Shqipërisë sonë europiane. Antifashizmi dhe patriotizmi ishin themelet e zgjedhjes së pamëdyshtë të Shqipërisë në vitin 1999, kur ajo sërish u rreshtua në koalicionin politiko-ushtarak të drejtuar nga SHBA dhe BE kundër dikataturës së fundit nacional-fashiste të Miloshevishit në Ballkan, në betejën më të madhe ushtarake dhe morale të ndodhur në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore, produkt i së cilës është realiteti i ri dhe i pakthyeshëm gjeopolitik në rajon, atdheu i dytë i shqiptarëve Republika e Kosovës.”
Më tej, Spiropali dha një mesazh për të rinjtë dhe të ardhmen, për ë tejkaluar përçarjet, ideologjitë, përplasjet dhe për t’u bashkuar sërish në emër të lirisë, historisë dhe aspiratave të të ardhmes.
“E ëndërroj atë ditë që në të përditshmen e Shqiptarëve, pavarësisht ndarjeve, në të mirë dhe në të këqij, në të aftë dhe të paaftë, në të ndershëm dhe të korruptuar, në të majtë dhe të djathtë, duhet të identifikohet mbi çdo gjë tjetër se çfarë na bashkon përtej kufirit, që na ndan. Çfarë na detyron që të rendim bashkë në një drejtim, të punojmë si një trup me dy krahë drejt një synimi të përbashkët. Për çfarë motivi e arsyesh duhet të heqim armët dhe të vëmë në punë mendjen dhe shpirtin. Për çfarë na nevojitet paqja jonë e përkohshme në luftën e pandërprerë
E di që nesër do të jetë e vështirë të shpjegohet për brezin e ri pse kemi prodhuar kaq helm, e tela me gjemba në politikë, por di gjithashtu edhe në mos qofshim të zotë ta bëjmë ne, do ta bëjnë ata. Ata që do bëhen bashkë në emër të gjakut, gjuhës, historisë dhe aspiratës sonë për të parë gjithmonë se në Shqipëri lind aty ku perëndon.”