Pasi iu refuzua kërkesa e parë për të lënë burgun, ish kryebashkiaku Safet Gjici dorëzon kërkesën e dytë në gjykatën e Elbasanit.
Sipas burimeve Gjici kërkon liri me kusht.
Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, u arrestua më 24 qershor 2023 pas publikimit të një video-skandali që tregonte marrëdhënie intime në zyrën e tij me Alma Kaçin. Fillimisht, Gjici u akuzua për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa Kaçi për “korrupsion aktiv”.
Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor, Gjykata ndryshoi akuzën ndaj Gjicit në “shpërdorim detyre”, duke e dënuar me 2 vjet burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet. Ndërkohë, Alma Kaçi u dënua me 1 vit burg për “prostitucion”. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Kaçi i kishte ofruar përfitime të parregullta Gjicit në formën e favoreve seksuale, në këmbim të ndihmës për një projekt të mbrojtjes së qenve që ajo promovon
Pas dënimit, Gjici kërkoi që pjesën e mbetur të dënimit ta vuante në shtëpi, por kjo kërkesë u refuzua nga Gjykata e Elbasanit.