Reshjet e dëborës kanë përfshirë sot një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit tonë, çka ka sjellë dhe uljen e temperaturave. Në Kukës vijojnë reshjet e dëborës, ndërsa në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizë trashësia e dëborës i kalon 15 cm, rruga nacionale Peshkopi- Tiranë është e kalueshme.
Vështirësi në lëvizje ka segmenti te pishat në Bulqizë deri në Qafë-Bualli dhe segmenti i bypass-it të Murrizit ku duhet patjetër përdorimi i zinxhirëve, akset e rrugëve janë mbajtur të hapura nga firmat kontraktore. Asnjë borëpastuese nuk ndodhet të terren.
Aksi i rrugës Peshkopi – Kukës kalohet me zinxhirë në Kala të Dodës trashësia e borës i kalon 20 cm borë, aksi Ura e Çerenecit- Librazhd kalohet me vështirësi vetëm nga makinat e larta ose me zinxhirë.
Edhe Korça është zbardhur sot nga reshjet e shumta të borës, ku trashësia ka shkuar nga 5-10 cm në disa zona malore.
Rrugët nacionale përfshi dhe atë Qafë Thanë – Kapshticë – Zemblak – Gorice – Korçë – Leskovik janë të kalueshme dhe pa probleme.