Aktualitet

Rasti i parë me Linë e Majmunit në Shqipëri, 31-vjeçari kthehet i infektuar nga Italia

Shkruar nga Liberale.al

Rasti i parë me Linë e Majmunit në Shqipëri,

Një 31-vjeçar nga Shqipëria e Mesme është rasti i parë i konfirmuar me Linë e Majmunit në vendin tonë. Ai kishte udhëtuar në Itali për dy javë dhe pas kthimit, filloi të shfaqte shenja në lëkurë që ngritën dyshime tek mjekët.

Pas analizave të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), sëmundja u konfirmua zyrtarisht. Sipas drejtoreshës së ISHP-së, Eugena Tomini, pacienti nuk kishte nevojë për shtrim në spital dhe u izolua në shtëpi, ku edhe është rikuperuar plotësisht.

“Familjarët e tij nuk kanë treguar shenja të sëmundjes dhe nuk kemi pasur raste të tjera të dyshuara,” tha Tomini.

Lia e Majmunit transmetohet përmes kontaktit të afërt lëkurë me lëkurë, nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, ose përmes objekteve të ndotura. Sidoqoftë, për t’u infektuar, nevojitet një kontakt i ngushtë dhe i vazhdueshëm me personin e sëmurë.

Tomini theksoi se nuk ka arsye për panik, por këshilloi që njerëzit të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e higjienës.

Lia e Majmunit është një sëmundje që zakonisht fillon me ethe, dhimbje koke dhe muskujsh, e më pas shfaqen puçrra të kuqe në lëkurë. Ajo mund të jetë më e rrezikshme për ata me imunitet të dobët dhe në kushte të këqija higjiene.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH