Aktivistë dhe ish-të përndjekur politikë u mblodhën këtë të shtunë në ish-kampin burg të Spaçit, për të protestuar kundër ndërhyrjeve që po kryhen në kuadër të projektit të konservimit dhe restaurimit të këtij vendi historik.
“Jemi këtu sepse jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën si po trajtohet ky vend. Spaçi është një simbol i vuajtjes dhe rezistencës, dhe duhet të ruhet si i tillë,” tha aktivisti Visar Doshmi.
Protestuesit e quajtën ndërhyrjen në ambientet e kontrollit të vizitorëve dhe në godinën e oficerëve një deformim të historisë dhe tjetërsim të origjinalitetit të vendit.
“Të tjetërsosh origjinën e këtij vendi është një krim i shëmtuar. Kujtesa kolektive nuk mund të fshihet me restaurime që fshehin të vërtetën,” u shpreh Gjergj Lekaj, një nga ish-të burgosurit politikë.
“Nuk kemi kundërshtim për filma apo dokumentarë, por ambienti duhet të qëndrojë ashtu siç është, autentik,”shtoi Nuri Stefaj, një tjetër i mbijetuar i Spaçit.
Të njëjtin shqetësim ndau edhe publicisti dhe ish-i burgosuri politik Fatos Lubonja, duke e cilësuar projektin si “një shkatërrim të kujtesës dhe një falsifikim të qëllimshëm të historisë.”
Demir Pojani theksoi se simbolika e dhimbjes në Spaç nuk mund të zëvendësohet me elementë të rinj:
“Vuajtjet e të burgosurve dëgjohen ende në këto mure. Nuk ka vend për sarkazëm apo manipulim.”
Ndërkohë, në një reagim të dytë pas debateve dhe kundërshtimeve, MEKI thotë se ringritja e banjove dhe tarracës mbi to nuk është aprovuar nga IKTK dhe nuk përfshihet në projekt, ndërsa ndërhyrjet e tjera do të analizohen para se të zbatohen në terren.
“Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit. Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim”, thuhet në reagim.
Megjithatë, aktivistët theksojnë se do të vazhdojnë qëndresën dhe do të kundërshtojnë vijimin e punimeve.