Aktualitet

PROTAGONISTI I DITËS- Rasti i parë që "shthur" lëmshin, Antoneta Sevdari detyron KPA-në të prishë vendimin e vet

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI I DITËS- Rasti i parë që "shthur"

Antoneta Sevdari rikthehet pas 5 viteve betejë gjyqësore në detyrën e prokurores pas ndërprerjes me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në shkurt të 2019, duke shënuar kështu edhe precedentin e parë në sistemin e ri të drejtësisë.

Ky është rasti i parë kur KPA, rishikon një vendim shkarkimi me formë të prerë, pas edhe një vendimi të mëhershëm nga Gjykata e Strasburgut.

Trupi gjykues i KPA-së që shqyrtoi kërkesën e Sevdarit kryesohej nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz. Tre prej anëtarëve të trupës, gjyqtarët Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo ishin pjesë e të njëjtit trup gjykues që shkarkoi Sevdarin pesë vjet më parë.

Çomo dhe Schuetz nënshkruan për largimin e saj nga detyra, bashkë me Luan Dacin dhe Ardian Hajdarin, dy të fundit tashmë të larguar nga Kolegji. Ajo që votoi kundër shkarkimit ishte Ina Rama, i vetmi mendim pakicë.

Kërkesa e Sevdarit për rishikim erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”. GJEDNJ rekomandoi gjithashtu se mënyra e duhur për rivënien në vend të drejtësisë në rastin e Sevdarit ishte rihapja e procesit në rrugët e brendshme. Që do të thotë rihapje dhe jo domosdoshmërisht rikthimi në detyrë.

Të premten, në dhënien e vendimit, kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Natasha Mulaj parashtroi fillimisht gjithë ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar për Antoneta Sevdarin, nga konfirmimi në Komision; ankimin e institucionit të Komisionerëve Publikë dhe shkarkimin e saj nga Kolegji i Posaçëm e Apelimit për probleme në kriterin e pasurisë; prishjen e vendimit të shkarkimit pas kërkesës së Sevdarit për rishikim bazuar në vendimarrjen e Strasburgut që gjetje shkelje të shkallës së dytë të vetingut; kërkimet përfundimtare të Komisioneres Irena Nino e cila pretendoi se GJEDNJ-ja nuk i kishte rrëzuar shkaqet e ankimit të cilave tha se u qëndronte; si dhe qëndrimin e subjektit që i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet e Komisioneres.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja Mulaj solli në vëmendje se procesi i rivlerësimit kalimtar mund të përfundojë vetëm me dy alternativa, atë të konfirmimit apo të shkarkimit nga detyra. Sipas saj, përderisa nuk u konstatuan elementë që do justifikonin dhënien e një mase të përkohshme, Kolegji arrin në konkluzionin se vendimarrja e GJEDNJ-së është e detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar.

“Për sa kohë, dhënia e masës së shkarkimit është çmuar nga GJEDNJ-ja se ka cënuar nenin 8 të konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë. Për rrjedhojë, trupi gjykues në vijim të konkluzioneve të mësipërme vlerëson se vendimi i KPK duhet të lihet në fuqi. Trupi gjykues, me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për subjektin e rivlerësimit Antoneta Sevdari”, tha Mulaj.

Pas vendimit të shpallur në ditën e Drejtësisë, prokurorja Antoneta Sevdari deklaroi për mediet se ndihej shumë e gëzuar që në fund arriti të marrë drejtësi.

“Ndihem shumë e gëzuar që në fund arrita ta marr drejtësisë që vlerësoj se e meritoja. Sot është dita e drejtësisë dhe duke qenë e tillë unë e ndjej dyfish përgjegjësinë që në vazhdim të mbetem e përkushtuar në shërbim të saj”, deklaroi Sevdari në fund të procesit.

Në dhjetor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut iu përgjigj pozitivisht ankesës së Sevdarit duke e konsideruar shkarkimin e saj nga detyra të pajustifikueshëm dhe “disproporcional” me qëllimin e ligjit për kontrollin kalimtar të gjytarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, u desh gati edhe një vit e gjysmë pas vendimit të Strasburgut dhe shumë seanca gjyqësore që KPA të merrte vendimin për të rikthyer në detyrë Sevdarin. Ajo është rasti i parë i një zyrtari të drejtësisë që kthehet në detyrë pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH