Ilir Proda, aktualisht Drejtori i Policisë së Elbasanit, u propozua nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha për postin e Drejtorit të Policisë së Shtetit.
Ai ishte në garë për postin e drejtorit me Altin Menën, Ardian Çipën, Neritan Nallbatin dhe Skënder Hitën në listën e kandidatëve më të vlerësuar. Dhe ministri i Brendshëm ka përzgjedhur emrin e tij për t’ia paraqitur në tryezë kryeministrit Edi Rama.
Por kush është Ilir Proda?
Prej marsit të vitit 2023, Ilir Proda, mban postin e drejtorit të Policisë Elbasan.
Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.
Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Proda e nisi karrierën e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3.
Më pas, për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme.
Në 2013 ai emërohet shef komisariati, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës.
Në korrik të vitit 2019 pasi merr gradën kryekomisar ai emërohet zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë.
Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit.