Përmirësohet gjendja e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Burime nga Kisha Orthodhokse infromojnë se nga spitali ‘Evangelismos’ në Athinë kanë marrë përditësimin mëngjesin e sotëm se Kryepeshkopi është në gjendje më të mirë shëndetësore.
Mjekët kanë përjashtuar për momentin mundësinë e ndërhyrjes kirurgjikale në një vatër infeksioni, pas përmirësimit të gjendjes së tij.
Theksojmë se ditët e fundit gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së tij raportohej se ishte e rëndë nga mediat greke, për shkak të problemit me gjakderdhjen në sistemin e aparatit tretës.
Kujtojmë se Kryepeshkopi Anastas u transportua nga Tirana në Athinë më 3 janar, me një avion të Forcave ushtarake greke. Fillimisht, ai ishte shtruar në një spital në Tiranë më 30 dhjetor për shkak të një gripi sezonal, por përkeqësimi i gjendjes së tij bëri që ai të transferohej në një spital në Athinë për mjekim më të specializuar.