Ervin Salianji u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas vendimit të Apelit, ashtu siç lajmëroi edhe më parë. Ai vendosi të vuajë dënimin dhe të mos pranojë propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ngujim në selinë blu.
I rrethuar nga qindra mbështetës, ai theksoi për kamerat se nuk do të dorëzohet në këtë betejë.
Avokati i Ervin Salianjit, Ledio Braho tha se pas dorëzimit deputeti do të transferohet sonte në burgun e Fierit, atje ku do të kryejë dënimin.
Braho tha se janë në kushtet e një vendimmarrjeje haptazi politike që u ekzekutua sot vullnetarisht nga Ervin Salianji.
"Do të transferohet në burgun e Fierit. S’ është detyrë e Salianjit që të shmangë përplasjet, problemi është që jemi në kushtet e një vendimmarrje haptazi politike që u ekzekutua sot vullnetarisht nga zoti Salianji", tha Ledio Braho.