Policia e Kurbinit ka zbuluar dhe asgjësuar një parcelë me bimë narkotike në zonën e Fushë-Milotit, si pjesë e operacionit kombëtar antikanabis të koduar “Koordinata”.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në territorin e Njësisë Administrative Milot, uniformat blu gjetën 50 bimë të dyshuara si kanabis sativa, të mbjella mes misrit, në një përpjekje për t’i fshehur nga kontrolli ajror dhe tokësor.
Në momentin e ndërhyrjes, policia arrestoi në flagrancë shtetasin A. P., 34 vjeç, i cili u kap duke u kujdesur për bimët narkotike. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Gjithashtu, materialet procedurale janë dërguar në Prokurori edhe për bashkëshorten e tij, E. P., 26 vjeçe, e cila dyshohet se kishte dijeni dhe ka bashkëpunuar në këtë aktivitet të paligjshëm.
Bimët u asgjësuan në vendngjarje përmes djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua si provë materiale.
Policia e Kurbinit po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
Operacioni “Koordinata” vijon me intensitet në të gjithë vendin, me synim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit dhe luftën kundër krimit të organizuar.