Gjykata e Posaçme nisi këtë të mërkurë seancën për të pandehurin Leonard Duka, i akuzuar si kreu i grupit të quajtur “Klani Duka” dhe akuzuar si organizatori i vrasjes së ish-policit Santiago Malko, në muajin Gusht të vitit 2019.
Duka u paraqit për herë të parë në seancë që pas arrestimit dhe ekstradimit nga Belgjika, ku ishte arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim. Ai u ekstradua në 2 Gusht të këtij viti nga Belgjika në Shqipëri.
Anëtarët e tjerë të grupit janë gjykuar dhe hetuar në mungesë, teksa ai pritet të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK, në këtë dosje.
Por në sallën e gjyqit ka qenë e pranishme edhe mamaja e të ndjerit Santiago Malko, e cila ka shpërthyer në ulërima, lot dhe fyerje ndaj të pandehurit:
“O maskara, ma vrave djalin 25 vjeç, o qen! Si del ti aty...?!”, ishin akuzat e saj drejtuar Leonard Dukës.