Avokati Arben Llangozi, ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking”, ku foli në lidhje me hetimi ne SPAK, për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe lidhjet e saj me bandën kriminale të Suel Çelës.
E ndërsa foli për faktin që Fetahu kishte kërkuar eliminimin e tij, ai tha se nuk ndihet i rrezikuar, por tregoi se ka marrë kërcënime të ndryshme, madje dhe kundrejt famijes.
“Kjo gjyqtare nuk ka kërkuar hakmarrje vetëm ndaj meje si avokat, po ka kërkuar ndaj gazetarëve të ndryshëm. Për të gjithë shtetasit apo personat që kanë përmendur emrin e Pajtime Fetahut, grupet kriminale kanë marrë masa për t’i ndëshkuar. Ajo që mua më bën përshtypje është fakti se emri im është lakuar si një person që përbënte rrezikshmëri për të sepse kisha denoncuar një sërë aferash korruptive ku ajo ishte e përfshirë.
Në kohën kur janë kryer bisedat mes Fetahut dhe grupit kriminal nuk kam pasur rrezikshmëri, por një kohë më pas, rreth një vit e gjysmë më pas, kam pasur kërcënime dhe po ashtu është ndjekur dhe fëmija im në shkollë. Djalin e shoqëronin punonjës policie çdo ditë, që e çonin dhe e merrnin nga shkolla. Jam informuar edhe për ardhjen e një personi të panjohur në zyrën time por e kam marrë si diçka normale. Ky person është identifikuar, është anëtar i grupit kriminal me të cilin zonja kishte lidhje. Tashmë ky person ndodhet i arrestuar. Nuk kisha asnjë lloj kontakti me të më herët, e kam identifikuar privatisht, kam njoftuar dhe policinë. Unë dyshoj gjithçka, ai mund edhe të ketë qenë me armë sepse nuk erdhi për të më ledhatuar në zyrë.
Gjyqtarja nuk ka komunikuar me mua sepse ka qenë në dëlirin e madhështisë. Në momentin që janë zhvilluar ato biseda, që tashmë një pjesë janë dhe publike, ajo ka qenë e plotfuqishme. Ajo ka patur në dorë një organizatë kriminale, madje ata shpreheshin që ne do bëjmë gjithçka për ty. Kishin marrë përsipër që të merreshin edhe me kryeministrin e republikës, Edi Rama, vetëm për të mbrojtur këtë gjyqtare sepse u kishte bërë një sërë nderesh.
“Për Pajtime Fetahun bëjmë luftë dhe me Ramën” / Përgjimet e Sky ECC: Balla na do për… Nuk mund të negociojë ajo me mua, sepse bëhet fjalë për një tokë turistike në Gjinar që ajo e kishte tjetërsuar me dokumente të flasifikuara. Kjo është e provuar, qoftë nga ana ime, edhe nga dokumente që i ka grupi hetimor. Unë nuk mund të negocioj sepse është kisha ndonjë lidhje. Unë po bëja detyrën time, zbulova një shkelje dhe kisha për detyrë ta kallëzoja. Nuk kisha asnjë personale me gjyqtaren.
Këto biseda unë i kam mësuar nga aktet e dosjes hetimore. Unë jam avokati i Elton Qynos dhe kur më janë dorëzuar aktet e dosjes, aty kamë mësuar gjithçka.
Unë nuk ndihem i rrezikuar fare sepse unë kam bërë detyrën time. Ato grupe kriminale nuk i njoh fare, nuk besoj se kanë ndonjë gjë personale me mua. Thjesht kanë marrë detyra nga një gjyqtare e inkriminuar. Nuk i kam borxh askujt, do vijoj punën time normalisht.”– tha ai.