Të paktën 10 efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur ose lënduar nga molotovët dhe lëndët piroteknike që janë hedhur në drejtim të tyre nga mbështetës të opozitës, të cilët prej orës 18:00 protestojnë në Tiranë, duke aplikuar format e mosbindjes civile.
Mes protestuesve raportohet se janë plagosur një vajzë dhe babai i saj, të cilët kanë pësuat djegie dhe janë dërguar në spital.
Në një deklaratë, pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës, teksa mbështetës të opozitës, nisën hedhjen e molotovëve para Kryeministrisë, për të vijuar më pas te selia e PS-së, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës, Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Protestuesit kanë hedhur fillimisht kapsolla dhe bomba molotov drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia është përgjigjur me spraj lotsjellës.
Tensionet kanë zgjatur disa minuta, ndërsa me altoparlant policia i bëri thirrje protestuesve të ndalin aktet e dhunshme.
Pas qëndrimit para Kryeministrisë, deputetët e PD udhëhoqën protestuesit drejt një tjetër marshimi në këmbë, me destinacion selinë e PS-së ku u hodhën flakadanë dhe bomba molotov.
Te selia e PS u dogj edhe banderola me foton e Edi Ramës. Marshimi vijoi drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës ku sërish u hodhën flakadanë dhe bomba molotov.