Forca të shumta policore dhe zjarrfikëse janë bërë gati për çdo skenar të mundshëm që pritet të ndodhë në rrugët e kryeqytetit.
Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë pritet të nisin protestën e cila ka si objektiv bllokimin e disa prej akseve kryesore të vendit si “Segmenti “Casa Italia - Sheshi Shqiponja”; Rreth rrotullimi Milotit; Rreth rrotullimi Shkozetit; Rreth rrotullimi Bradasheshit; Rreth rrotullimi Rrogozhinës dhe
Rreth rrotullimi Levanit. Pritet që 9 deputetë të PD-së të drejtojnë protestuesit të degëve së Tiranës, të Dibrës, Elbasanit, Fierit, Durrësit etj.
Në zonën e ish-doganës, andej nga pritet të kalojnë dhe protestuesit që do të vijnë nga qytetet e tjera, janë bërë gati një numër i konsiderueshëm makinash policie dhe zjarrfikësesh, në mënyrë që të mos bllokohen akset kryesore të kalimit të automjeteve.
Opozita ka kërkuar leje për 3 orë protestë. Sipas saj, protesta ka si qëllim krijimin e qeverisë teknike dhe lirimin e të burgosurve politik siç i konsideron PD dhe PL arrestimin e Ilir Metës, arrestin në shtëpi të Sali Berishës. Të dy këta të fundit akuzohen nga drejtësia për korrupsion. Nga ana tjetër policia doli me një deklaratë një ditë më parë duke i bërë thirrje përfaqësuesve të PD që në asnjë rast mos të bllokojnë qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve, pasi kjo përbën vepër penale dhe organizatorët do të përballen me pasoja sipas ligjit