Levian Goga, një shqiptar nga Berati, është kthyer në simbol të guximit dhe humanizmit në Greqi, pasi me një akt të rrallë trimërie shpëtoi dy fëmijë të mitur nga mbytja në lumin Arachthos. Historia e tij ka prekur zemrat e mijëra qytetarëve grekë dhe shqiptarë, duke rikujtuar forcën e shpirtit njerëzor përballë rrezikut.
Ngjarja ndodhi të mërkurën e kaluar në qytetin e Artës. Leviani ndodhej në një kafene kur dëgjoi thirrjet për ndihmë. Pa u menduar dy herë, u hodh në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit, ku dy fëmijë, 12 dhe 14 vjeç, po mbyteshin. Ai arriti t’i nxjerrë nga uji, megjithëse, për fat të keq, fëmijët kishin pësuar vdekje klinike.
Heroizmi i tij nuk kaloi pa pasoja shëndetësore. Goga u përball me komplikacione në frymëmarrje dhe u shtrua në spitalin e Artës, ku aktualisht po trajtohet. Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, reagoi personalisht, duke siguruar transportin e menjëhershëm të tij drejt spitalit për ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas autoriteteve spitalore, gjendja e tij është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për jetën.
Ky akt heroik ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe ka frymëzuar reagime të shumta mirënjohjeje. Prindërit e fëmijëve të ndjerë vendosën të dhurojnë organet e tyre për të shpëtuar jetë të tjera – një tjetër shembull i thellë humanizmi në një moment tragjedie.
Për aktin e tij, autoritetet greke kanë vendosur që Levian Goga të nderohet me shtetësinë greke – një njohje zyrtare për guximin dhe përkushtimin që ai tregoi pa bërë dallime kombësie.