Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka vendosur një masë ndalese të përkohshme për importin e deleve dhe dhive nga regjioni i Shkodrës dhe Kukësit në Shqipëri. Ky vendim vjen pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants), e njohur ndryshe si murtaja e deleve dhe dhive, në Qarkun e Shkodrës.
Kjo sëmundje prek kryesisht kafshët ripërtypëse të vogla, si delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, përmes sekrecioneve, jashtëqitjeve dhe frymëmarrjes. Shenjat kryesore janë: temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, mungesë oreksi, diarre dhe në raste të rënda, edhe ngordhje.
AUV ka bërë të ditur se kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit, kështu që nuk ka rrezik për shëndetin publik.
Autoritetet kufitare të Kosovës do të shtojnë kontrollet në pikat kufitare me Shqipërinë për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje në territorin e Kosovës. Ndërkohë, AUV ka premtuar se do të vazhdojë të informojë fermerët dhe qytetarët në mënyrë të rregullt për çdo zhvillim të ri.