Aktualitet

INTERVISTA PËR LIBERALE/ Kristaq Xharo: Nuk është dinari që ‘po brengos’ aleatët, por strategjia dhe kultura e sjelljes 

Shkruar nga Aulona Menalla
INTERVISTA PËR LIBERALE/ Kristaq Xharo: Nuk është dinari

Ndalimi i dinarit serb në Republikën e Kosovës ka sjellë një serë reagimesh të brendshme dhe të jashtme, duke ngjallur dhe polemika të shumta sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas këtij vendimi të qeverisë së Kosovës, SHBA dhe BE shprehën shqetësimin e tyre dhe bënë thirrje që Kosova të mos marrë vendime të nxituara e veprime të njëanshme, të cilat do të nxitinin konfliktin mes dy vendeve.

Ndërkohë dhe vetë presidenti Vuçiç reagoi duke thënë se ndalimi i dinarit serb, sipas tij sjell dëme të pariparueshme në jetën e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Kristaq Xharo, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, në Departamentin e Shkencave Sociale për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ndau opinionin e tij për Liberale.al duke cekur disa nga elementët dhe faktorët që ndikojnë në aspektin strategjik dhe gjeopolitik. 

Pyetje: Këto ditë në vendin tonë erdhi Sekretari amerikan i shtetit Blinken, vizitë e cila shprehu nivelin e marrëdhënieve midis SHBA dhe Shqipërisë dhe njëkohësisht vlerësimin e lartë për angazhimin e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit dhe në ngjarje të mëdha ndërkombëtare duke e
konsideruar Shqipërinë faktor shumë të rëndësishëm rajonal, krahas SHBA. ‘Rastësisht’ në të njëjtën kohë përfaqësues të departamentit amerikan të shtetit me tone shumë serioze paralajmëruan Kosovën për masa ekstreme në partneritetin me SHBA. Si po përcillen këto dy qëndrime kaq të distancuar për shqiptarët?

Xharo: Faleminderit për pyetjen. Ju e përshkruat mjaft drejt situatën ku sa motivuese është qëndrimi ndaj Tiranës po aq brengosës është qëndrimi ndaj Prishtinës. Duhet të ndërgjegjësohemi se si Shqipëria dhe Kosova jemi dy shtete të vegjël me kapacitete të kufizuara të fuqisë së ‘fortë dhe të butë’, ndaj një aleat strategjik si SHBA, fuqia më e madhe e kohës, është një shans historik që e ka provuar veten të jetë jetik për të dy shtetet shqiptare. Sigurisht , kjo do të jetë e tillë për aq kohë sa strategjitë e mëdha dhe sjelljet shtetërore të dy shteteve tona do të harmonizohen me ato të partnerit strategjik si për rajonin, por, edhe më gjerë.

Në çdo rast tjetër çdo qëndrim, që vendos në dilemë strategjinë dhe gjeopolitikën perëndimore për rajonin do të mbart konsekuencat e veta. Historikisht strategjia amerikane në rajon ka provuar, se në asnjë rast nuk ka qenë në dilemë me interesat madhore të shqiptarëve, ndaj nuk ka arsye
që edhe strategjitë apo qëndrimet tona të shkaktojnë ‘brengosje’ tek partneri më i rëndësishëm strategjik. Ndaj edhe zhvillimet më të fundit mendoj se duhet ti shohim në aspektin strategjik dhe gjeopolitik dhe jo vetëm një ‘sovraniteti të ngurtë’.

Pyetje: Para pak ditësh në Këshillin e Sigurimit të OKB u zhvillua një debat i kërkuar nga Serbia dhe sigurisht i mbështetur nga Rusia për vendimin e qeverisë së Kosovës, lidhur me dinarin serb. Cili është opinioni juaj për këtë zhvillim?

Xharo: Faleminderit për pyetjen, që vërtet është me mjaft interes. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është institucioni më i lartë dhe i vetmi që mund të marr vendime në nivel global. Ne patëm mundësinë ta shihnim veten në të dy pozicionet: për dy vjet ishim pjesëtar të përkohshëm të këtij forumi,
me të drejtën për shprehur qëndrim për probleme botërore. Ne ishim bashkë pendëmbajtës me fuqinë më të madhe globale, SHBA, dhe morëm vlerësimet më të larta për performancën. Jo në këtë pozicion, sapo përfunduam mandatin, shteti tjetër shqiptar, u ndodh në këtë forum, por në një pozicion krejt të ndryshëm dhe jo të dëshiruar.

Të ndodhesh për debat në Këshillin e Sigurimit, edhe pa qenë anëtar i organizatës, është mjaft e rrallë, por të jesh objekt akuzash dhe kritikash para forumit më të lartë, por edhe opinionit botëror është edhe më e vështirë. Më rëndë në këtë rast nuk ishin akuzat e Serbisë e të Rusisë, por edhe futja në axhendë dhe përballja kritikat ‘e kërkuara’ nga aleatët më të mëdhenj, ata që e krijuan dhe po e ruajnë Kosovën. Serbia, e cila ndjek dhe realizon me saktësi axhendën e saj strategjike kundër Kosovës, shfrytëzoi në mënyrë efektive momentet ku së pari futjen në axhendë të debatit duke dashur të krijojë idenë se Kosova është një çështje e papërfunduar e OKB dhe së dyti ‘harmonizimin’ e dhuruar për kritika edhe nga aleatët strategjik të Kosovës, SHBA dhe BE dhe së treti kohën më të shpejtë të largimit të Shqipërisë nga Këshilli i Sigurimit, që në çdo rast do të mbetej një avokat i përhershëm për Kosovën.

Pavarësisht nga komentet e partizanëve të facebook-ut, edhe në këtë radhë duket që nuk arritëm t'i shmangeshim autogolit në ‘ndeshjen’ me Serbinë. Por përtej kohës së largët të vitit 2010, me fitoren në përballje për ligjshmërinë e aktit të Pavarësisë, më pas e në vazhdim është e vështirë të kujtosh për histori suksesi qoftë në ‘hard apo soft power’ në këtë ndeshje që duket se do të luhet për një kohë të gjatë. Pas‘agresionit’ të gjithanshëm për diskreditimin e shtetit kosovar duke filluar me luftën, me viktimizimin, me bllokimin e njohjeve tashmë përfunduam kësaj radhe duke u ngjitur në skenën botërore, jo për të kërkuar, siç vërtet historikisht e meritojmë, por për t'u shpjeguar ndoshta për një ‘vendim të dorës së tretë’ të dhënë në kohë të gabuar.

Pyetje: Në vijim edhe për çfarë ju përmendet më lart, por nisur edhe nga informacionet më të fundit, duket përsëri se qeveria kosovare është e vendosur për zbatimin e vendimit. A mendoni se ky vendim është aq jetik për Kosovën sa ajo ‘të humbas’ ndjeshmërinë edhe ndaj kritikave të aleatëve strategjikë?

Xharo: Së pari dëshiroj të shpreh opinionin se nga ana formale ky vendim ashtu si edhe ai i targave para pak vitesh, apo zgjedhjeve lokale pak më vonë, janë vendime të ligjshme, kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe parë në një kontekst të ngushtë ajo është në të drejtën e vet. Dhe nuk vërehet se ka
kritika për përmbajtjen e tyre. Jo është për kohën dhe mënyrën e zbatimit, ose në fund të fundit është për koordinimin dhe mënyrën e sjelljes së qeverisë.

Është e vërtetë se qeveria është autoritet sovran në Republikën e Kosovës. Por, sapo një veprim i qeverisë ka pasoja edhe për sigurinë, që mbetet aq delikate
në Kosovë, konteksti zgjerohet pasi janë aleatët ata që janë jo vetëm investues, por edhe aktorët më të rëndësishëm në sigurinë shtetërore të Kosovës. Prania e KFOR është kuptimplotë.

Çështja e sigurisë territoriale të Kosovës i tejkalon si kapacitetet por edhe përmasat e atributeve të qeverisë. Ndaj mënyra e sjelljes së qeverisë duhet të jetë jo elektorale por strategjike. Nuk mundet dhe nuk duhet të sfidohen aleatët strategjikë për çështje që mund të gjendet që më parë koordinim dhe bashkëveprim. Për mendimin tim qoftë edhe këto tre këto momente që përmendëm më lart (targat, zgjedhjet e dinari) nuk mund të arrijnë apo ngrihen në kategorinë e interesave jetike të Kosovës. Një shtet sfidon veten edhe me
luftë vetëm për ato interesa duke shkuar edhe në sakrificë ekstreme (lexo Morgenthaun).

Zyrtarët e lartë në Kosovë e mohojnë që po vihen në dilemë marrëdhëniet me partnerët, ky do të ishte një lajm i mirë, por më i
besueshëm nëse kjo do të deklarohej nga partnerët. Për shkak të mënyrës së sjelljes sot Kosova është një shtet nën ‘sanksione’ dhe kjo nuk është për tu krenuar. Nëse synohet njohja apo normalizimi e marrëdhënieve me Serbinë apo edhe një pozicion më i favorshëm për Kosovën në arenën ndërkombëtare,
ajo mund të arrihet vetëm nga dhe nëpërmjet ndihmës dhe presionit të fuqive të mëdha, që kanë kapacitetet dhe instrumentet e fuqisë.

Pyetje: ..dhe sipas kësaj llogjike Kosova është ‘e dënuar’ të ketë përherë raporte vitale me aleatët
strategjik...

Xharo: Kosova është një shtet i ri dhe me arritje të admirueshme për një kohë të shkurtër. Megjithatë ajo nuk ka kapacitete të ‘fuqisë së fortë’ për të luajtur fortë në skenën e madhe. Kjo pozitë duket se pak ndryshon edhe me Shqipërinë, gjithmonë në krah të saj. Kur përmendim fuqi të fortë aty gjenden jo vetëm kapacitetet për luftë, që janë mjaft modeste, por edhe ato ekonomike e pse jo edhe diplomatike.

Aktualisht dhe për një të ardhme do të ekzistoj dilema e sigurisë, por edhe disbalanca e fuqisë. Pa shmangur përpjekjet që ndërmerren edhe për mjaft kohë Kosova do të ketë nevojën e prezencës së NATO- s, ndaj edhe strategjia e mbijetesës së saj në çdo rast duhet të harmonizohet më atë apo partnerët
strategjik. QUINT është shumë pranë selisë së qeverisë.

Pyetje: A ka mënyra të tjera për të rikuperuar burimet e fuqisë?

Xharo: Shtetet e vegjël, me kufizime në kapacitete të fuqisë së fortë, përdorin mundësi të balancimit, në një masë të konsiderueshme, me kapacitete të ‘fuqisë së butë’ ose njohur si ‘soft power’, që nëse e perifrazojmë me fjalët e Joseph Nye, atij që e përdori dhe zhvilloi i pari dhe më thellë si koncept, do të ishte : kulturë atraktive, sjellje strategjike, mënyrë serioze e dinjitoze qeverisje dhe mbi të gjitha harmonizim qëndrimesh me aleatët strategjik. Këto janë atribute dhe detyrime të elitave politike, të cilat duhet të kenë aftësinë për të menduar përtej nivelit të politikanit, por si burrështetas, me interes madhor e jo në cakun elektoral. Nëse nuk e arrijnë apo nuk dëshirojnë, ato (elitat qeverisëse) do të zhyten në ‘ferrin taktik’ duke rënë në mjegullën e interesave elektorale, pa mund të dallojnë ato të mbijetesës së shtetit.

Pyetje: Duke u rikthyer te ‘dinari’, a besoni se ‘pezullimi i vendimit’ e cënon ‘sovranitetin e Kosovës’ dhe a do të rikthejë besimin midis qeverisë kosovare dhe aleatëve strategjikë?

Xharo: Nëse do të ishte thjesht dallimi për dinarin, shumë gjera nuk do të shkonin kaq larg, por duhet të pranojmë që mosbesimi është më i gjerë dhe i thellë. Si në rastin e dinarit, më herët për targat apo edhe të zyrave boshe të të zgjedhurve lokalë, dallimi po lidhet me mënyrën e komunikimit të qeverisë apo edhe vizionit të saj i ndryshëm nga aleatët. Kosova po ‘zhytet e mbytet’ në kornizat e sovranitetit vestfalian duke mos arritur të vështroj kontekstin gjeopolitik në rajon si një ‘.. një absurditet çoroditës në rastin më të mirë dhe
një bast i rrezikshëm në çdo rast tjetër...’ . Këtë e shpreh Havier Solana, ish sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ai që dikur arriti të siguroj konsensusin e NATO-s në 1998.

Përtej mënyrës së sjelljes duket se ka diferenca të thella në vizion dhe në strategji midis aleatëve dhe qeverisë së Kosovës, megjithëse për këta të fundit është mjaft e vështirë të gjesh një model strategjie por një ‘ferr taktikash’. Në Kosovë kemi një fushë ku po përplasen strategjitë. Ndërsa strategjia e aleatëve
synon shmangien e një vatre tjetër konflikti, përballë një strategjie ruse që është në kërkim të alibive dhe një strategjie serbe të pandryshuar në objektiv : rikthim në kohën e Milloshevicit, sigurisht e ndihmuar nga rusët. Në këtë kontekst çdo veprim i qeverisë kosovare që nxit tensionin konsiderohet një rrezik i madh për aleatët në vlerësim gjeopolitik dhe një alibi e mjaftueshme për kundërshtarët e Kosovës. Pra nuk ka dallim për dinarin por ka hendek të thellë për kontekstin strategjik e gjeopolitik.

Pyetje: Ndoshta në këtë linjë, a mund të shfrytëzohen tensionet në veri të Kosovës, si një alibi që Serbia të riaktivizojë një skenar si ai i Banjskës?

Xharo: Banjska nuk ishte një incident i rastësishëm, këtë e kanë të qartë si në Kosovë si në Serbi, por edhe faktori ndërkombëtar. Banjska ishte prolog i vazhdimësisë së politikës dhe strategjisë shtetërore serbe dhe ai do të mbesë pjesë e saj duke mos ndaluar për të krijuar mjedise të tilla. Serbia nuk ndjeu
asnjë pendesë nga Banjska, dhe nga mënyra si reagoi pas sulmit e tani ndoshta nëpër shtabet operacionale, shumë pranë kufirit, po analizojnë për shkaqet e dështimit dhe mënyrën e vazhdimit. Banjskat si një model tashmë klasik për tu përdorur si pretekst do të jenë pjesë në strategjinë e hapur apo të mbuluar të Serbisë.

Nuk ka asnjë garanci të mos përsëritjes, por sigurisht duke parapërgatitur të gjitha kushtet e mjedisin e nevojshëm. Serbia humbi një betejë, por nuk ka hequr dorë nga lufta e gjatë me kombinimin e të gjitha instrumenteve. Nga ana tjetër Banjska tregoi se sa i rëndësishëm është koordinimi në nivel operacional dhe strategjik me aleatët jo vetëm për të minimizuar dëmet, por edhe për të shmangur synimin për ta kthyer veriun e Kosovës në një vatër të re tensioni, që do të ishte një dhuratë në kohë për
Rusinë.

Pyetje: Dhe së fundi, çfarë do të sugjeronit në një situatë të tillë?

Xharo: E kam vështirë të marrë rolin e sugjeruesit, aq më tepër kur në të njëjtin kontekst gjenden faktorë dhe aktorë të brendshëm dhe rajonalë, politik dhe gjeopolitik, aktorë elektoralë por edhe çështje madhore, kufizime në kapacitete të fuqisë së fortë, por fatkeqësisht edhe të butë, aktorë të rëndësishëm që shqetësohen për rendin botëror, që përpiqen të përcaktojnë fatet e luftërave, por e kanë të vështirë në Kosovë. Është një kohë që në Kosovë politikanët duhet të ngrihen në nivelin e burrë-shtetasve të mendojnë
për strategjinë e shtetit e të kombit e jo të zhyten në amullitë e betejave elektorale. Duhet të shohim një strategji që shkon më larg se fushatat elektorale por për interesat vitale.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH