Aktualitet

Ilir Meta në konferencë për shtyp: Bizneset e ndershme po falimentojnë, pastrimi i parave po shtohet

Shkruar nga Liberale

Ilir Meta në konferencë për shtyp: Bizneset e ndershme po

Gjatë një konference me gazetarët, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, diskutoi për gjendjen ekonomike, financiare dhe sociale në vend, duke u  shprehur se po përjetohet një regres i vazhdueshëm.

Meta theksoi se bizneset e ndershme po falimentojnë, ndërsa pastrimi i parave po përhapet.

Deklarata e plotë e Metës:

Situata ekonomike, financiare dhe sociale në vend po shënon një regres të pandalshëm.

Treguesit ekonomikë gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në muajin dhjetor 2023 na prezantojnë  një  rritje të mëtejshme të varfërisë së qytetarëve për shkak të një ekonomie, që po bëhet gjithmonë e më pak konkurruese.

Rënia e importeve të lëndëve të para dhe atyre ushqimore me rreth 8.2 % krahasuar me një vit më parë si dhe rënia e konsumit, veçanërisht në muajin e festave të fundvitit, krahasuar me një vit më parë, provon uljen e kërkesës së ekonomisë dhe të konsumatorëve.

Një tregues i rritjes së varfërisë në vend është fakti se vetëm në muajin dhjetor 2023 importet u ulën me 23.1% krahasuar me dhjetorin 2022, ç’ka dëshmon thellimin e krizës për shkak të rritjes abuzive të çmimeve.

Gjatë vitit të kaluar eksportet gjithashtu shënuan tkurrje me 9.5% krahasuar me vitin 2022.

Rënia e eksporteve në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për muaj me rradhë për shkak të pandemisë.

Zhvlerësimi i qëllimshëm i euros vlerësohet një nga faktorët që i ka dhënë goditjen më të madhe eksportuesve, krahas shtimit të kostove dhe konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare.

Industria e tekstileve dhe këpucëve, që punon me material porositësi (fason) dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend (kryesisht shtresave me të ardhura të ulëta), kaloi në veçanti një situatë tepër të vështirë në 2023, e ndikuar nga rritja e kostove dhe sidomos nga cvleresimi i euros.

Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok dhe Egjipt.

Ndërsa bizneset e ndershme falimentojnë, bizneset që pastrojnë para, sidomos në sektorin e ndërtimit lulëzojnë.

Fakt janë dhjetëra leje që jepen pa kursim në Tiranë, përmes një vendimmarrje jo transparente të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Mbivlerësimi i lekut është dëshmia e plotë e rritjes së volumit të pastrimit të parave në të gjitha format dhe e mbështetur hapur nga Qeveria.

Në raportin e saj të fundit FMN e bëri të qartë se “mbiçmimi i shpejtë i lekut që nga viti i kaluar nuk shpjegohet plotësisht nga bazat ekonomike”.

 

“Boshllëqet e të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e ndërtimit pengojnë një vlerësim të plotë të financimit të ketij sektori nga paratë e pista. Mbikëqyrja e zgjeruar e pasurive të paluajtshme dhe ndikimi i sektorit të ndërtimit në stabilitetin financiar janë thelbësore”, – vlerëson gjithashtu FMN.

Kjo situatë ka vetëm një arsye: Synimin e Qeverisë për të vjedhur dhe pastruar paratë e pista të korrupsionit dhe krimit.

Ndaj vëmendja nuk është tek ekonomitë familjare sepse sytë janë vetëm tek oligarkët dhe zhvatësit publikë.

Pra investitorët miliarderë, që ndërtojnë pallate, kulla dhe resorte, ju falet edhe prona publike me çmim 1 euro, dhe detyrimi tatimor është 6%, kur ndërkohë bizneset e ndershme paguajnë tatim 15% dhe profesionet e lira do të paguajnë deri në 23%.

Ndërsa qytetarët e thjeshtë që nuk përballojnë dot koston e lartë të jetesës në vendin më të varfër të rajonit paguajnë 20% TVSH për ushqimet më bazike të jetesës.

Dhe nuk paguajnë vetëm më shtrenjtë për ushqime, por edhe për barna. Pra jo vetëm nuk kanë mundësi financiare të ushqehen, por as të kurohen.

Shëndetësia falas ka qenë dhe mbetet një nga mashtrimet më të mëdha.

Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi ka treguar qartë se shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre për shëndetësinë më shumë se kudo tjetër në kontinent.

Në krahasim me gjithë vendet e tjera të Europës, Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhep i qytetarëve.

OBSH përllogarit se në periudhen 2015 -2021 shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82 për qind.

Siç shihet nga të dhënat e OBSH-së në vitin 2005 shqiptarët paguan nga xhepi 49.3% të kostos së shpenzimeve shëndetësore, ndërsa në 2021 paguan 60%.

Sipas të dhënave nga OBSH  një shqiptar ka shpenzuar mesatarisht për shëndetin 465 dollarë.

Kjo shumë në masën 277 USD është përballuar nga xhepi dhe pjesa tjetër per 188 dollare nga buxheti i shtetit.

Meqë jemi dhe tek shëndetësia, dua të shpreh respektin më të madh për qëndresën dhe mençurinë e studentëve të mjekësisë, të cilët vendosën një standard të lartë të reagimit shoqëror ndaj këtyre padrejtësive dhe arrogancës qeveritare duke fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese, që rrëzoi ligjin që i detyronte të punonin pesë vjet me detyrim, sapo diplomoheshin.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH