Aktualitet

Atentati ndaj 41-vjeçarit në Selitë, Policia ofron 15 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për autorët

Shkruar nga Liberale

Atentati ndaj 41-vjeçarit në Selitë, Policia ofron 15 mijë

Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar, lidhur me atentatin e mbrëmjes së djeshme në zonën e Selitës, Tiranë, ku mbeti i plagosur 41 vjeçari, Zamir Kalemi, kushëriri i Aleksandër Sadikajt. 

Gjithashtu Policia ka vënë në dispozicion shumën prej 15 mijë eurosh, shpërblim për personat që kanë informacion mbi atentatorin/ ët.

Njoftimi i Policisë: 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyerjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes.


Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin.

Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.

Nga analiza e rethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin  +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH