Krimi i rëndë i ndodhur në azilin privat të të moshuarve “Ruaje Moshën”, në rrugën “Ali Visha” në Tiranë, duket se ka si shkak patologjitë e moshës nga të cilat vuante historiani i arrestuar, Zyhdi Shehi.
Hetimet e deritanishme të Policisë dhe Prokurorisë, tregojnë se 78-vjeçari i shpallur “Qytetar nderi” i Kavajës dhe me medaljen e punës “Naim Frashëri”, nuk ka qenë në gjendje të mirë psikologjike dhe shëndetësore në momentin e ngjarjes, kur goditi disa herë me bastun hekuri shokun e tij Virxhil Vesho, 82 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen.
Të dy të moshuarit vuanin nga skleroza dhe sëmundje të tjera derivat shëndetësor i të parës, por edhe si shkak i moshës. Në dëshminë e dhënë për hetuesit, zbardhen detaje të reja nga dinamika, rrethanat dhe shkaku.
“Pasi pimë ilaçet u shtrimë për të fjetur gjumë dhe në mesnatë u ngrita për të shkuar në tualet. Pasi u futa në dhomë, dëgjova zëra dhe të bërtitura dhe pashë se Virxhili ishte shtrirë. E pyeta kush po bërtet dhe i kërkova të fliste nëse kishte njeri në dhomë, por ai nuk mu përgjigj. Në atë moment kam filluar ta godas në kokë dhe trup disa herë. Më pas i fola sërish duke i thënë nëse do flasë apo jo, aty mu përgjigj me dy-tre fjalë dhe e godita sërish me karrigen që gjendej aty. Nga ai moment nuk mbaj mend çfarë ndodhi”– ka thënë i moshuari.