Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dyert për homazhet në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani, i cili u largua në mënyrë të parakohshme nga jeta një ditë më parë pas një arresti kardiak.
Mes lotëve dhe dhimbjes, deputetët nga dy kampet kanë marrë pjesë këtë të enjte në homazhet në nderim të kolegut të tyre.
Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Luçiano Boçi, e shumë deputetë demokratë të tjerë, me kurorat me lule, kanë shkuar në hollin e Kuvendit ku dhe po zhvillohen homazhet dhe kanë shkruajtur në librin e kujtimeve fjalët e fundit për kolegun e tyre.
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu është parë të ngushëllojë deputetët e opozitës për ndarjen nga jeta të kolegut të tyre. Më herët ka mbërritur edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla si dhe deputeti Damian Gjiknuri i cili nuk ka mbajtur dot lotët ndërsa i jepte lamtumirën e fundit.
Gjithashtu presidenti i Republikës, Bajram Begaj është i pranishëm në homazhet e lamtumirës si dhe ka vendosur një kurorë lulesh mbi arkmortin me trupin e pajetë të ish-deputetit demokrat.
Ai tha për mediat, jashtë Parlamentit, ku edhe po zhvillohen homazhet për ish-deputetin e ndjerë, se Gerti Bogdani ishte njeri me vlerë të jashtëzakonshme morale dhe politike.
“Një njeri me vlerë të jashtëzakonshme morale dhe politike. Ishte një njeri i cili pati një jetë të mbushur aktive qoftë publike, qoftë politike. Ngushëllime familjes”, - u shpreh Begaj.
Bogdani humbi jetën pas një arresti kardiak teksa po zhvillonte një takim me miqtë në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ikja e papritur e Gertit, e politikanit dhe djalit të mirë “tirons”, ka tronditur jo vetëm familjarët, por të gjithë kolegët e miqtë që patën.