Aktualitet

Gripi i shpendëve/ Ministria e Bujqësisë merr masa, monitoron fermën në Mëzez

Shkruar nga Liberale

Gripi i shpendëve/ Ministria e Bujqësisë merr masa, monitoron

Pas konfirmimit të gripit të shpendëve në një fermë familjare në fshatin Mëzez në Tiranë, Ministria e Bujqësisë po vijon kontrollet në terren për të kufizuar përhapjen e virusit.

Përgjatë fundjavës, veterinerët kanë monitoruar 2.304 ferma, në të cilat mbarështohen afro 97 mijë shpendë. Po ashtu, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare janë analizuar 90 mostra zyrtare, të cilat kanë rezultuar të gjitha negative.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, nga analizat e kryera deri tani nuk ka njerëz të infektuar nga gripi i shpendëve.

Që prej 30 tetorit, kur u konfirmua rasti i parë me gripin e shpendëve, Shërbimi Veterinar ka karantinuar vatrën, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit. Për fermerët është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave në bashkinë Tiranë, Vorë dhe Kamëz.

Ata janë udhëzuar që të lëvizin shpendët për qëllime tregtare vetëm pasi të jenë autorizuar nga veterineri, shoqëruar edhe me certifikatën e lëvizjes së kafshëve.

Ministria e Bujqësisë u bën thirrje shpendërritësve që për çdo rast dyshimi të komunikojnë menjëherë me shërbimin veterinar rajonal dhe të mos manipulojnë me shpendët e dyshuar. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH