Aktualitet

Frika e GJAKMARRJES/ Familja Hasaj ngujohet pasi djemtë vranë 33-vjeçarin në Shkodër, nis misioni për PAJTIMIN mes palëve

Shkruar nga Liberale

Frika e GJAKMARRJES/ Familja Hasaj ngujohet pasi djemtë vranë

Pas ekzekutimit të të riut Ramazan Mataj, 33 vjeç në Postribë të Shkodrës, duket se është rikthyer frika e fenomenit të gjakmarrjes në këtë zonë.

Familja Hasaj, dy djemtë e të cilës ndodhen në burg për këtë vrasje, prej ditës kur ndodhi krimi gjenden në ngujim. Kryetari i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Shqipërisë, Dedë Shullani, ishte i pranishëm në zonë, ku takoi familjen e autorëve.

Babai Rustem Hasaj, shprehu pendesën e thellë për ngjarjen ku janë përfshirë djemtë e tij. Ai rrëfeu se fëmijët e tij kishin qenë shokë klase me viktimën dhe se ngjarja e ka tronditur familjen e tij.

“Unë jam Rusem Hasaj nga fshati Dragoç. Babai i dy djemve që janë të arrestuar. Sot me këtë fatkeqësi që na kanë ndodhur dy palëve, unë e kam bërë dhe një deklaratë, kam kërkuar ndjesë fshatit, familjes, fisit. Sot kam nevojë për shtetin, kam nevojë për individin, se më ka lënë me 4 fëmijë, jam në gjendje ekonomike shumë të dobët. Prandaj ju falënderoj juve si gazetarë që keni ardhur.  Nuk kam asnjë lloj dijenie, por e ka çuar Zoti të ndodhë, rreziku im dhe i tij. Kjo më ka rënë bombë në shtëpinë time. Ka ardhur e papritur. Jam vetë i shtati, kam një grua të sëmurë. Kam nusen e djalit, kam 4 fëmijët e djalit që i kam sot në mbijetesë se nuk jam i zoti as me i fitu bukën, as me i marr ilaçet, as me i çuar në shkollë, se nuk kam asnjë të ardhur, as asistencë, as ndihmë prej shtetit. Unë jam në ngujim, ka mbas dy ditëve që e kam marrë vesh nëpërmjet mediave, nëpërmjet shtetit. Unë jam i ngujuar. Jam në gjendje të mjeruar nga ana e ekonomisë. Kurrkujt mos i raft kjo punë”, tregoi ai.

Kryetari i shoqatës së misionarëve  të paqes dhe pajtimit të Shqipërisë Dedë Shullani  thotë se po punohet që të rifillojë komunikimin mes familjeve.

“Kjo është fatkeqësi, nuk e do kurrkush që t’i ndodhë ky problem. Ne si shoqatë pas një jave dolëm dhe komunikuam me familjen që i ka ndodhur problemi dhe fatkeqësia me qëllim që mes dy familjeve me kalimin e kohës dhe me qetësimin e gjendjes me ulur komunikimin e këto dy familjeve që ta rrisim një pikë qëllimi që t’i lemë familjet të jetojnë në paqe. Familja e tij ishte në një gjendje katastrofike, njerëz me probleme ekonomike, pa shtëpi, pa ekonomi. Sipas dijenisë së babait, thoshte nuk jam në dijeni për ngjarjen që më ka kryer fëmija. Ishte i përulur, ishte i mërzitur, edhe nuk e di çfarë të them, por një familje në gjendje shumë të lodhur ekonomike. Ne si misionarë deri në fund nuk do t’i ndajmë vizitat në këto familje derisa të gjejmë një rrugë komunikimi për të mirën e të dyja palëve”, tha ai.

Prej dy javësh, familjet Mataj dhe Hasaj janë në konflikt të hapur me njëra-tjetrën, ndërsa frika se vrasja mund të pasohet nga ngjarje të tjera kriminale mbetet shqetësim për të gjithë komunitetin.

Ramazan Mataj u vra me breshëri kallashi në një antenat mafioz në zonën e Dragoçit teksa ishte në makinë.

Ngjarja dyshohet se ndodhi mbrëmjen e 4 janarit 2025, ndërsa raportohet se u gjet i pajetë mëngjesin e 5 janarit nga banorët e zonës.

Ndërkohë vetëm pas tre ditësh nga krimi i kryer, policia zbuloi autorin e dyshuar dhe bashkëpunëtorin e tij, 2 vëllezër, bashkëfshatar të viktimës, Arjon dhe Kisman Hasaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH