Aktualitet

FOTO E DITËS: Meshë për Kryepeshkopin në Gjirokastër, besimtarët me lot në sy nderojnë Anastas Janullatos

Shkruar nga Liberale

FOTO E DITËS: Meshë për Kryepeshkopin në Gjirokastër,

Kortezhi me trupin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos mbërriti mëngjesin e sotëm në qytetin e Gjirokastrës, ku edhe u mbajt një ceremoni e veçantë fetare në Katedralen e qytetit.

Në ceremoninë e pritjes së ardhjes së kryepeshkopit ishin të pranishëm qindra besimtarë ortodoksë, të cilët me lot në sy dhe lule në duar nderuan figurën e tij si udhëheqës shpirtëror i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Dhe sipas amanetit të lënë prej tij, kortezhi ndaloi për disa momente në të gjitha stacionet e fshatrave kryesore të Bashkisë së Dropullit, ku banorët patën mundësinë të shprehinin respektin dhe nderimet e tyre.

Pas mbërritjes në Gjirokastër, trupi i Kryepeshkopit u vendos në Katedralen e qytetit, ku besimtarët kryen homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Pas homazheve në Gjirokastër, kortezhi do të vazhdojë rrugën drejt Tiranës, ku trupi i Kryepeshkopit do të vendoset në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për homazhe publike. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të enjten, me pjesëmarrjen e klerikëve, zyrtarëve dhe besimtarëve nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj.

Kujtojmë se Kryepeshkopi Anastas ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare më 25 janar, në spitalin “Ungjillëzimi” në Athinë, ku ishte shtruar që prej 3 janarit për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH