Pedagogia Albana Kullolli Kastrati është ndarë nga jeta para kohe, pas betejës me një sëmundje të rëndë.
Ky lajm i trishtë u bë me dije nga bashkëshorti i saj, Agron Kastrati, teksa ka publikuar vendin dhe orën e caktuar për mbajtjen e ceremonisë mortore.
Albana Kullolli ka përfunduar studimet në vitin 2004 në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në Fakultetin Ekonomik, dega Financë–Kontabilitet. Në të njëjtën kohë, Albana filloi të ndiqte rrugën akademike po në të njëjtin fakultet si pedagoge.
Më tej ajo u diplomua në fushën e Kontabilitetit pranë Universitetit të Tiranës, ndërsa në vitin 2017 mbrojti gradën “Doktor i Shkencave”. Prej tetorit 2017, ajo kontribuoi si eksperte pranë Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve në Shkodër, duke dhënë një kontribut të çmuar në projekte të ndryshme sociale.
Albana Kulloli Kastrati do të mbetet gjithmonë në kujtimet e atyre që arritën ta njihnin nga afër, si një profesioniste, një njeri me virtyte, si dhe një nënë e përkushtuar për familjen e dy fëmijët e saj.