Një aksident i rëndë rrugor ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor "Koplik-Dedaj", ku si pasojë humbi jetën një 21-vjeçar.
I riu Gjeto Gjonaj ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë ka dalë nga rruga. Fatkeqësisht nga plagët e marra ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me këtë lajm tragjik, ku thotë se Gjonaj ishte pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve.
Reagimi i plotë i Drejtorisë së Burgjeve:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe stafi i saj shprehin ngushëllimet më të thella për humbjen e Gjeto Gjonaj, një djalë i ri dhe i talentuar, pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve.
Gjeto, i cili kishte ëndrrat e tij të mëdha për të shërbyer në sistemin e drejtësisë, ndërroi jetë në një moshë shumë të re, duke lënë pas një dhimbje të madhe tek familja dhe të afërmit e tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, së bashku me stafin, janë pranë familjes Gjonaj në këtë moment të vështirë, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për këtë humbje të pazëvendësueshme.
Gjeto do të mbetet gjithmonë në zemrat tona si një simbol i përkushtimit dhe shpresës për një të ardhme më të drejtë.
Do të kujtohemi gjithmonë për pasionin dhe dedikimin tënd.
Lamtumirë Gjet!