I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka rrëfyer me detaje se si e ka kryer vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë, në vitin 2021, pasi u përfshi në veprimtarinë kriminale të grupit të strukturuar që dyshohet të jetë drejtuar nga Laert Haxhiu.
Tafani, në dëshminë e tij zbulon se e ka pritur Selimin në hyrje të pallatit ku banonte dhe më pas e ka ndjekur teksa ngjiste shkallët deri në katin e dytë, ku e qëlloi për vdekje.
“Pasi shkova tek pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makinë si “Benzi” që kishte ai. Isha ballë për ballë me atë. Kisha maske Covid-i dhe një kapele. Po më shikonte dhe pati si dyshim, u fut në hyrje të pallatit. Ai u ngjit në kat të parë, kat të dytë, unë isha nga mbrapa tij. Ishte qeros dhe unë dija dhe rrobat që kishte veshur atë ditë, të kuqe. Aty e qëllova nga mbrapa, 3 herë e shkrepa. E qëllova, një herë në shpatull dhe dy herë të tjera por se di ku e kapi”, rrëfeu Tafani.
Mes të tjerash ai tregoi edhe mënyrën si u arratis pasi kreu ekzekutimin, për të cilin pretendon se ka përdorur një armë të llojit “Zastava”.
“Ika me vrap për nga burgu Bënçës, rashë në ca ferra aty si jashtë qytetit. Armën e kisha me vete, ‘Zastava’, bereta e vogël me silenciator. S’po gjeja rrugicën që të dilja. Sipas planit duhet të dilja tek lumi Vjosa ku do vinte Ligori”, zbulon 39-vjeçari