Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili akuzohet për abuzime me tenderat publik, në kohën kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Në njoftim SPAK sqaron se ka dërguar për gjykim në GJKKO 16 ish zyrtare të ministrisë së brendshme të cilët kanë abuzuar me tenderat. Hetimet zbuluan se është favorizuar biznesmeni, Gjon Radovani, pavarësisht që sipas SPAK nuk plotësonte kriteret ligjore për të fituar tenderat publik.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 25.11.2024 ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.240 të vitit 2021 në ngarkim të 16 ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera, të akuzuar për shkelje të rënda gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019.
Favorizim në procedurat e prokurimit
Hetimet kanë zbuluar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.
Kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Prokurorisë së Shtetit” kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore, por në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë, kjo për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin e lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion.
Shkeljet e dokumentuara
Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qënë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.
Anëtarë të njësisë së prokurimit si Denisa Skënderaj, Lira Kolasi, dhe Blendi Kovi, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfshirë Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi, Jonarda Qurku kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për të devijuar procedurat ligjore të prokurimit. Gjithashtu, anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, Julia Hysa, dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë si Elora Kokalari, dhe Aida Shehi, kanë kontribuar në devijimin e procedurave ligjore.
Një komision për marrjen në dorëzim të projektit, i përbërë nga Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi ka nënshkruar procesverbale të rreme për të justifikuar dorëzimin e projektit, ndërkohë që projekti përfundimtar nuk ishte realizuar.
Nga veprimet e paligjshme të kryera, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, i vlerësuar sipas kontratës në vlerën prej 34,248,000 lekë. Deri në këtë moment, kjo vlerë nuk është ezekutuar ndonëse përfituesi ka lëshuar faturat përkatëse për shkak të kundërshtimit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mbi paligjshmëritë e evidentuara gjatë procesit.
Shënim për gazetarët:
1. Procedimi penal nr 240, viti 2021.
2. Dy procedurat e prokurorimit të llojit “Konkurs Projektimi” zhvilluar në dy faza, më dt 26.09.20219 dhe 24.12.2019 dhe “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, zhvilluar më 30.12.20219.
3. Katër objektet policore: Drejtori Vendore Policie + Komisariat Vlorë, Komisariati Policisë nr. 4 Tiranë, Komisariati Policisë Pogradec, Komisariati Policisë Mirditë Rrëshen).
4. Kontrata e nënshkruar më 31.12.2019, për dy objekte: Drejtori Vendore + Komisariat Vlorë dhe Komisariat i Policisë Rrëshen.