Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli ka dalë nga dyert e SPAK-u dhe ende nuk dihet arsyeja e paraqitjes së tij në prokurorinë e Posaçme. Besohet se paraqitja e tij ka të bëjë për një tender që në mënyrë të dyshimtë iu dha kuzhinierit të restorantit të djalit të tij.
Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli pas publikimit të tenderit të dyshimtë që kap vlerën e rreth 400 mijë eurove.
Burime nga SPAK, thanë se hetimet për këtë rast kanë nisur kryesisht pas publikimit në media të informacioneve rreth tenderit të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me objekt përgatitjen e një menuje për projektin e “100 fshatrave”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fitues kompaninë Mascarpone sh.p.k në pronësi të Alfio Rrotanit dhe Endrit Maci person fizik.
Nga verifikimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se fituesi i tenderit, Alfio Rrotani punon si shef kuzhine në një restorant luksoz që është në pronësi të djalit të Dritan Agollit, drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Referuar dokumentacionit të tenderit në fjalë, rezulton se operatori BOE Kube Studios Shpk & Albanian Gastronomy Academy AGA ka ofruar 39 milionë lekë për krijimin e menusë, ndërsa kompania fituese ka ofruar 41 milionë lekë.
Ky operator do të ketë në dispozicion 3 vite për studimin e menusë autentike për projektin e 100 fshatrave.
Sipas dokumenteve, paratë shkojnë për grumbullimin e informacionit mbi gatimet shqiptare, dizajnin e librit të Menusë 100 Fshatra, realizimin e një dokumentari me 12 episode dhe promovimin në rrjetet sociale. Libri do të jete i konceptuar si një udhetim turistiko – gastronomik në 100 Fshatrat, me një format miks mes një libri kuzhine dhe një guide turistike, në version print dhe online.
Pas nisjes së hetimit, SPAK pritet të sekuestrojë dokumentacionin për procedurat e ndjekura si dhe të marrë në pyetje personat me dijeni për çështjen me qëllim identifikimin e shkeljeve ligjore dhe përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarëve në këtë çështje.
Në një reagim FSHZH thotë se procedura e prokurimit është në proces dhe e papërfunduar,
"Pra ende nuk ka një kontratë të lidhur sipas ligjit.
Për këto arsye zhurma që është duke u bërë ne media praktikisht është një ushtrim i hapur presioni për të influencuar në procedurën e prokurimit dhe në vendimarrje gjë e cila bie në kundërshtim edhe me përcaktimet ligjore për personat apo institucionet që ndikojnë në vendimmarrje' thuhet në reagim.