Shtyhet sërish seanca për dosjen e koncesionit të Sterilizimit, ku i pandehur është ish-ministri Ilir Beqaj. Shkak i shtyrjes së seancës është bërë tej zgjatja e afatit prej katër orësh.
Në seancë nuk u arrit të lexoheshin aktet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj gjyqi i radhës do të zhvillohet më 3 tetor.
“Jam thirrur në Komisionin Hetimor për të paraqitur pretendimet e mia dhe për të dhënë sqarime para deputetëve. Kam ndërkohë nga një tjetër trupë gjykuese një masë sigurie (për dosjen SASPAC), sa kohë do më jepet për të përgatitur qëndrimet e mia? Ky nuk është shqetësimi më i madh, pasi do duhet t’i zbërthej në komision të gjitha aktet dhe argumentet një pjesë e të cilave përbëjnë sekret hetimor, dhe deklarimet e mia atje mund të përbëjnë shkelje të vendimit të gjykatës për mosnxjerrje të sekretit hetimor. Dua të di qëndrimin e gjykatës”, deklaroi ish-ministri në seancën gjyqësore.
Togat e zeza thanë se mbrojtja e ish-ministrit,duhej ta paraqiste një kërkesë zyrtarisht që gjykata të dalë me një vendimmarrje rreth pretendimit të ish-ministrit.