Aktualitet

Disa raste të krimit kibernetik ne Shqipëri, parë nga perspektiva morale e sociale

Shkruar nga Enkeleda Stafa

Disa raste të krimit kibernetik ne Shqipëri, parë nga perspektiva

 

Krimet kibernetike janë një sfidë në rritje në Shqipëri, duke sjellë pasoja të mëdha për individë, institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi. 

Të shpjegojmë fillimisht se çfarë kuptojmë me termin krim kibernetik. Në thelb, termi krim kibernetik përfshin shfrytëzimin e teknologjisë për qëllime të këqija, duke vjedhur informacion personal, shkelur privatësinë, dhe madje duke penguar funksionimin e sistemeve të rëndësishme.

Një nga problemet kryesore lidhur me krimet kibernetike në Shqipëri është mungesa e ndërgjegjshmërisë dhe edukatës së mjaftueshme në lidhje me sigurinë kibernetike. Individët dhe organizatat duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun dhe metodat që përdoren nga kiberkriminelët për të shfrytëzuar dobësitë e individit. Mirëpo në një plan më të ngushtë, problem të madh përbejnë individët të cilët kryejnë këto veprime të turpshme, kryesisht kundrejt vajzave dhe grave në Shqipëri.

Në këtë artikull sjellim në vemendje 2 raste jo shumë të largëta. 

Bëhet fjalë për këto lloj rastesh, ku në njërin prej tyre një femër, grua, motër e nënë mori vendimin për t'i dhëne fund jetës. Mirëpo këto raste nuk ishin as të parat e nuk do të jenë as të fundit, kemi dëgjuar e do të dëgjojmë derisa jetojmë në kohën e teknologjisë, e cila aq sa na e ka lehtësuar jetën aq edhe na e ka vështiresuar.

Le ti analizojmë rastet në planin moral e atë social.

RASTI I PARË

Rasti i vajzës së cilës i është hapur një llogari në Instagram me postime denigruese është një shembull shqetësues i krimit kibernetik dhe abuzimit të mediave sociale. Kjo sjellje jo vetëm shkel privatësinë individuale, por gjithashtu ndikon negativisht në mirëqenien emocionale dhe psikologjike të individit.

Nga perspektiva morale, ky veprim tregon një mungesë të theksuar të respektit për integritetin e tjetrit. Është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i internetit dhe mediave sociale duhet të shoqërohet nga një sjellje etike dhe respektimi i drejtave të të tjerëve, thënë kështu në teori ngjanë shumë bukur mirëpo realiteti është aq i shëmtuar sa nuk mund të gjejmë një shkallë përshkrimi. 

Në aspektin social, ky rast tregon se krimet kibernetike kanë ndikim të fuqishëm në dinamikën shoqërore dhe mund të shkaktojnë ndarje dhe tensione mes individëve. Për të ruajtur një mjedis të shëndetshëm dhe respektues institucionet duhet të angazhohen në menyrë pë të siguruar parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve. Duhet thënë se sot nuk ekziston asnjë ligj, i cili ndërshkon individët të cilët përdorin një gjuhë fyese dhe denigruese në rrjetet sociale. Pra është e rëndësishme që autoritetet dhe platformat sociale të përballojnë këtë situatë duke hetuar dhe ndëshkuar fajtorët. Në të njëjtën kohë, nevojitet një përkrahje komunitare dhe ndihma për individët e prekur nga ky fenomen, duke i ofruar mbështetje emocionale dhe ligjore për të rikthyer ndjenjën e sigurisë dhe integritetit personal.

RASTI I DYTË

Rasti i dytë edhe me fatali është rasti i i vetëvrasjes se një gruaje në Durrës (lajmin e gjeni ne linkun e mesipërm) pasi i janë postuar foto denigruese në një llogari në emrin e saj në TikTok.

Ky rast është një tragjedi e thellë dhe shpreh një shqetësim serioz lidhur me pasoja të rënda sociale të krimit kibernetik. Në planin moral, kjo ngjarje thekson nevojën për një sjellje më të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme në përdorimin e teknologjisë dhe mediave sociale. Respektimi i integritetit të të tjerëve dhe përbërja e një mjedisi online të mbrojtur janë thelbësore për të parandaluar tragjedi të tilla.

Nga perspektiva sociale, rasti tregon se pasoja e krimit kibernetik shkon përtej dëmit të drejtpërdrejtë të imazhit të një personi. Ndikimi që kanë këto veprime në spektrin emocional dhe psikologjik mund të jetë thelbësor në jetën e një individi. 

Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar në rregullimin e situatës? 

Nëse Shqipëria synon të ndërtojë një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurtë në botën dixhitale, duhet të investojë në teknologji inovative dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për të zbatuar më efektivisht masat e sigurisë kibernetike. Mjedisi ligjor duhet të përditësohet dhe të pasurohet për të përmbushur kërkesat e kohës, duke krijuar sanksione dhe dënime efikase për këta individë që mendojnë se e kanë të drejtën të demtojnë të tjerët duke u fshehur pas tastjerave të kompjuterave.

Këto raste theksojnë edhe nevojën për të hartuar dhe zbatuar ligje më efektive që penalizojnë këto lloj krimesh. Edukimi i popullatës në lidhje me pasojat e rënda të këtyre veprimeve është gjithashtu jetik për të ndryshuar kulturën dhe sjelljen e shoqërisë ndaj këtyre sfidave të cilat muns ti theksojme si sfidat më të rëndësishme të shekullit ku jetojmë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH