Njëzet e pesë vjet më parë kur ndoqën bashkë një master në Kansas, SHBA, askush nuk do ta dinte rrugëtimin e njëri-tjetrit. Prof. dr. Kristaq Xharo u kthye në Shqipëri dhe përtej anagzhimit të tij si përfaqësues ushtarak kombëtar në Shtabin e NATO-s në vitet 2007-2010, iu dedikua karrierës akademike, me fokus në fushën e organizatave dhe sigurisë ndërkombëtare.
Gjenerali Christopher G. Cavoli vijoi përkushtimin e tij në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke shënuar një karrierë ushtarake të spikatur, tashmë 37-vjeçare. Prej dy vitesh, pas fillimit të luftës në Ukrainë, ai ka marrë detyrën e komandantit Suprem të NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë.
Kjo ishte indicia e profesor Xharros për t’i rekomanduar Universitetit Europian të Tiranës, që të nderonte me titullin “Doctor Honoris Causa” ish-shokun e tij të klasës.
Titulli iu dorëzua në ambientet e UET, nën nderimin e figurave politike, ushtarake dhe diplomatike, me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes lidershipit strategjik, përkushtimit ndaj bashkëpunimit transatlantik, inovacionit në strategjitë ushtarake dhe frymëzimit të gjeneratave të reja”.
“Rreth 25 vite më parë, si ushtarak nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, kisha privilegjin të isha shok klase me Gjeneral Cavoli-n në CGSC (Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm) në Leavenworth, Kansas. Që nga ajo kohë, Gjeneral, ju ishit një mentor për mua, më treguat miqësi, lidership dhe mbështetje të çmuar. Sot, jam shumë krenar të them: “Unë isha dikur shok klase me një gjeneral me katër-yje, Komandant Suprem i NATO-s, dhe më besoni, e përmend shpesh, jo vetëm për studentët e mi", u shpreh Xharro në fjalën e tij.