Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, lidhur me dënimin nga Gjykata e Apelit të deputetit Ervin Salianji.
Bardhi shprehet në këtë letër se Prokuroria po nxitohet me veprimet e saj. Sipas Gazment Bardhit, Prokuroria nuk po merr autorizimin e Kuvendit për arrestimin e një ligjvënësi. Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Imuniteteve.
Ndërkohë Gjykata e Apelit ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë të enjten e 26 shtatorit, për deputetin Salianji, ku u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, për dënimin me 1 vit burg për 1çështjen babale, duke sqaruar se vendimi për është marrë në unanimitet.
“Pershendetje!
Nisur nga disa kerkesa lidhur me vendimin e djeshem (ceshtja ndaj te pandehurve Ervin Salianji, etj), ju njoftojme se vendimi eshte marre ne unanimitet”, thuhet në reagimin e gjykatës.
KËRKESA:
Lënda: Kërkesë për mbledhje urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit
Drejtuar: Znj. Elisa SPIROPALI
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Me një akt hakëmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgusjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një cështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.
Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në cfarëdo llojë forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”.
Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.
Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
Përfaqësuar nga:
KRYETARI
Gazment BARDHI