Aktualitet

Burri i saj plagosi drejtorin e ATK-së? Reagon ministrja Ibrahimaj: Konflikti ka ndodhur, por…

Shkruar nga Liberale

Burri i saj plagosi drejtorin e ATK-së? Reagon ministrja Ibrahimaj:

Pas lajmit që qarkulloi sot se burri i ministres Delina Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj ka qëlluar me thikë për shkak të detyrës drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK), Ari Koshaj, ka reaguar për herë të parë ministrja.

Ministrja pranoi se ngjarja ka ndodhur por ajo u distancua nga çdo lloj implikimi për shkak të detyrës. -"Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën" tha Ibrahimaj.

Lidhur me ngjarjen policia thotë se ka vepruar në përputhje me ligjin, duke ia hedhur “topin” në këtë rast Prokurorisë së Tiranës, duke njoftuar se e ka referuar ngjarjen për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, ndaj Andri Ibrahimaj.

Njëkohësisht, policia konfirmon se Andri Ibrahimajt i është marrë dëshmia pas ngjarjes dhe është lënë i lirë. Raportohet se Andri Ibrahimaj ndodhet jashtë shtetit prej disa muajsh pas ngjarjes.

Reagimi i plotë i ministres Delina Ibrahimaj:

Jam e keqardhur që 5 muaj pas një konflikti të padëshiruar, i cili ka kaluar në rrugën e drejtësisë dhe ka marrë përgjigje po në atë rrugë, sot më duhet të jap shpjegimin tim. Nuk kam asnjë arsye të fajësoj askënd lidhur me publikimin e këtij fakti, por kam detyrimin të sqaroj elemente që e bëjnë të plotë vërtetësinë e tablosë së ngjarjes.

Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën.

Një element tjetër lehtësisht i provueshëm është se pavarësisht dinamikës së ngjarjes dhe faktit që bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për dicka që nuk e ka bërë, ashtu si konfirmohet nga vendimi i organeve të drejtësisë, pala kallëzuese ka vijuar të qëndrojë në vendin e punës edhe pas largimit tim nga funksioni i Ministres së Financave dhe Ekonomisë 7 muaj më parë.

Nuk besoj se është e nevojshme në këtë pikë, por po sqaroj sidoqoftë se nuk kam pasur asnjë konflikt me kallëzuesin gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në atë detyrë, siç nuk kam pasur asnjë konflikt me asnjë person në varësine time.

Ky fakt besoj e thotë vetë të vërtetën që konflikti në fjalë, nuk ka pasur asnjë lidhje me mua apo detyrën time. Padyshim do të kishte qenë me e mira që të mos kishte ndodhur, por nganjëhere zhvillimet e padëshiruara në marrëdheniet me të tjerët na zgjedhin, nuk i zgjedhim. Por e përsëris që kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore, me funksionet e institucionit që kam drejtuar dhe me mua personalisht. Ndërkohe e mirëkuptoj me keqardhje faktin se pikerisht për shkak të detyres dhe angazhimit tim publik, nje ngjarje e 5 muajve të shkuar bën sot lajm për arsye qe nuk janë në tagrin tim institucional t’i komentoj.

Ndjesë kujtdo që mund të jetë shqetësuar nga ky lajm, por kushdo të jetë i bindur se s’ka asnjë të vërtetë tjetër nga sa rendita më lart.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH